I ulur në karrige afër hyrjes kryesore të objektit ku është vendosur Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), Granit Rugova të enjten po kryente disa punë rreth përfaqësueses A të Kosovës në basketboll, për të cilën luajti deri në qershor të këtij viti. Ishte vetëm dita e dytë e tij në postin e drejtorit të përfaqësueseve të Kosovës, në të cilin u emërua të hënën nga Bordi i FBK-së, pasi i dha fund karrierës si basketbollist.
Ai ka përfunduar karrierën e lojtarit aktiv pas një tragjedie që e goditi basketbollin kosovar dy muaj më parë. Në një aksident të rëndë në komunikacion, që ndodhi në mëngjesin e 23 qershorit, i vdekur mbeti basketbollisti reprezentues, Gazmend Sinani. Tre reprezentues të tjerë, në mesin e tyre edhe Granit Rugova, mbetën të lënduar rëndë në aksidentin që ndodhi në Gjakovë, shkruan sot Koha Ditore.
Për kohë të gjatë Graniti vlerësohej prej basketbollistëve të mirë të vendit. Në veturën që pësoi aksident, pos të ndjerit Sinani dhe Granit Rugovës, ishin edhe basketbollistët Fisnik Rugova e Altin Morina dhe fizioterapeuti i përfaqësueses Kujtim Shala. Fisniku është vëllai i vogël i Granitit. Ata u aksidentuan derisa me përfaqësuese ishin të grumbulluar në Gjakovë, ku po përgatiteshin për ndeshjet me Poloninë e Hungarinë.