Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me organizatën “Let’s do it Kosova” ka organizuar aksion pastrimi dhe mbjellje fidanësh në këtë komunë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, tha se është bërë pastrimi i vendeve të ndryshme të qytetit si dhe mbjellja e fidanëve dhe luleve e cila filloi nga Institucioni parashkollor “Nëna Zahide”, Skenderaj.
Jashari, ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që të mos hedhin mbeturina dhe ta ruajnë ambientin. Ai tha se pavarësisht se vitin e kaluar u eliminuan të gjitha deponitë, këtë vit gjendje është për keqardhje.
“Sot filluam nga çerdhja e fëmijëve e cila mbanë emrin e nënës së Komandantit Legjendar “Adem Jashari”, pra çerdhja “Nëna Zahide”, ku mbollëm lule dhe disa pemë dhe vazhduam këtu me pastrim të ambientit dhe nuk do të ndalemi për nder të tokës, për nder të tonin që të kemi një ambient të pastër, të marrim frymë dha ajër të pastër dhe bëjë apel për të gjithë ata që na shohin dhe dëgjojnë që të mos hedhin mbeturina vend e pa vend sepse ne në vitin e kaluar kemi eliminuar të gjitha deponitë ilegale kurse në këtë vit kemi më shumë sesa kemi pasur në vitin e kaluar e kjo është për keqardhje”, tha Jashari.
“…Duhet të vetëdijesohemi një herë e përgjithmonë të mos hedhim mbeturina. I bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkëngjiten në këtë aksion i cila do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim gjatë tërë vitit dhe po ashtu dua të falënderoj të gjitha kompanitë që veprojnë në komunën tonë që kanë shpreh vullnetin që t’i bashkohen këtij aksioni për nder të tokës”.
Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj, i ka bërë apel policisë dhe inspektorëve që të gjobisin gjithë ata të cilët e ndotin mjedisin. Hasanaj ka apeluar qytetarët që ta ruajnë mjedisin dhe të krijojnë qasje të re për trajtimin dhe ruajtjen e vendit ku jetojnë dhe veprojnë, raporton EO.
“Ne me shumë vullnet dhe dëshirë vijmë në Skenderaj. Në këtë vit manifestimet për “Ditën e Tokës” fillojnë në Skenderaj, pra është aktiviteti i parë që zhvillohet për nder të kësaj dite dhe shpresojmë që nga ky vend legjendar që na motivon të gjithëve për të bërë punë të mira për vendin tonë, ta nisim një qasje të re për trajtimin e mjedisit ku jetojmë dhe veprojmë. Ndjehemi mirë që e shohim angazhimin e kryetarit për të përmirësuar situatën e mjedisit në Skenderaj dhe ne zotohemi që do të jemi partner të juaj tu ndihmojmë me aq sa mundem në mënyrë që ajo që pastrohet në ditët në vijim të ruhet. Bëjë apel tek inspektoret dhe policia që të jenë më aktiv dhe ata të cilët i bëjnë dëme natyrës të gjobiten sepse përndryshe nuk e di deri ku do të shkojmë me aksione dhe aktivitete që do të jenë të pafund”, tha Hasanaj.