Aksion simbolik sot në ora 12:00 para Qeverisë, mjekët e rinj kërkojnë punësim

Prishtinë | 22 Nën 2026 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe profesionistët shëndetësorë që të shtunën protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë, do të vazhdojnë me aksion simbolik sot, kësaj radhe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Protesta, e organizuar nga iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë”, vjen si shprehje e pakënaqësisë ndaj mungesës së mundësive për punësim, problemeve me specializimet dhe, siç kanë thënë protestuesit, mungesës së dialogut me institucionet përgjegjëse.

Të shtunën, protestuesit u mblodhën para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar punësim të profesionistëve shëndetësorë të licencuar, konkurse të rregullta e transparente për specializime dhe pagesën e stazhit gjashtëmujor.

Përfaqësuesi i iniciativës, Besfort Racaj, tha se 534 doktorë janë të papunë në Kosovë, ndërsa 650 mjekë kanë emigruar gjatë viteve 2021–2026, sipas shifrave që ai prezantoi gjatë protestës.

Protestuesit kanë kundërshtuar atë që e konsiderojnë mungesë perspektive profesionale, duke thënë se pas viteve të studimit dhe sakrificës, shumë të rinj përballen me pritje të gjata për punësim ose detyrohen ta shohin emigrimin si alternativë.

Ata kanë kërkuar që specializimet të shpallen çdo vit, kuotat të përcaktohen sipas nevojave reale të sistemit shëndetësor dhe përzgjedhja e kandidatëve të bëhet në mënyrë transparente e meritore.

Protesta e së shtunës u mbajt pas anulimit të një takimi me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ishte paraparë të zhvillohej më 13 nëntor. Organizatorët kanë thënë se, pavarësisht insistimit për dialog dhe një afati shtesë që u dhanë institucioneve, nuk morën përgjigje konkrete.

Sot aksioni do të vazhdojë në sheshin “Skënderbeu”, para Qeverisë së Kosovës, nga ora 12:00. Organizatorët kanë njoftuar se në kuadër të protestës, profesionistët shëndetësorë do të vendosin tavolina dhe do të ofrojnë shërbime mjekësore për qytetarët.

Me protestë, studentët dhe mjekët e rinj synojnë që kërkesat e tyre të mos mbeten vetëm në rrugë, por të marrin përgjigje nga institucionet që kanë përgjegjësi për sistemin shëndetësor dhe të ardhmen e profesionistëve në Kosovë.

Të ngjashme