Aksione policore në Çair, reagojnë qytetarët

Prishtinë | 30 Pri 2018 | 16:52 | Nga

Teksa ekipet e policisë shihen në terren, në dy rrugët më të frekuentuara, Jahjapasha dhe Rruga e Plastikave nuk kishte radhë të gjata automjetesh. Banorët e kësaj pjese të qytetit e përshëndesin aksionin dhe apelojnë që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“E përshëndes këtë aksion, edhe këto rrugët për këmbësorë që janë, por edhe ata që kalojnë me familje, janë të bllokuar, nuk mund të kalojmë. Edhe këtu duhet të ketë ligj. Komuna Çair duhet ta ndërtojë parkingun me para dhe qytetari veturën jo ta lë në rrugë, por ta vendos në parking”,- theksoi një qytetar.

“Po i parkojnë veturat, ligjin ne nuk e respektojmë. E lëmë para dyqanit veturën dhe largohemi”,- tha një qytetar.

“Shumë mirë është kjo, duhet të jetë e pastruar mirë kjo, njerëzit duhet të ecin, të kalojnë. Ne këmbësorët nuk kemi ku të kalojmë”,- u shpreh një qytetar.

“Nuk ka vende për parkim këtu. Këtu është stacioni i autobusit, njerëzit presin autobus, vetura këtu nuk duhet të ketë. Vendi duhet të jetë i hapur, ja sa bukur duket sot. Nuk i pengon askush fëmijët që shkojnë në shkollë dhe as kalimtarët, lëvizin lirshëm. Duhet të dihet, vetura nuk mund të parkohet në çdo vend”,- tha një qytetar.

Por, kishte edhe nga ata që ishin kundër aksionit në fjalë. Një shitës u ankua për këtë aksion, ngase, sipas tij, dyqanet nuk kanë punë dhe po përballen me gjoba të larta.

“Ky aksion për askund nuk është, dyqanet nuk kanë punë. Nuk të lënë asnjë minutë të ndalosh. Sapo të ndalesh 1 minutë, dënohesh me 45 euro dënim. E kanë tepruar këta, nuk janë në rregull”,- u shpreh një shitës.

Aksioni për pastrimin e rrugëve dhe trotuareve të uzurpuara po realizohet nga policia në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe paralajmërohet se i njëjti do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme