Vullnetarë të shumtë i janë bashkuar aksionit të pastrimit organizuar nga Task Forca “Ta pastrojmë Kosovën”, tek deponia pranë stadiumit “Fadil Vokrri”.
“E kemi lon gjatë kështu, është koha e fundit mos me lon ma. Falënderoj të gjithë që po angazhohen. Çdo ditë ka dikush që po ndihmon. Në të ardhmen do të ketë edhe masa ndëshkuese. S’kemi me u ndal deri me 15 dhjetor,” është shprehur kryeministri, Ramush Haradinaj.
Bashkë me atë ishte edhe këshilltarja politike, Albena Reshitaj, ish-ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Ajo që do ta mbajë të pastër Kosovën është respektimi i ligjit,” është shprehur Reshitaj.
Koordinatori i Organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, vazhdon të bëjë thirrje që qytetarët t’i bashkohen aksionit të pastrimit.
“Pastrimi i Kosovës po vazhdon në një zonë që është imazh i Prishtinës. Të vazhdojnë ta ruajnë ambientin dhe këto hapësira publike. Ju bëjë thirrje të gjithëve që të bashkohen,” është shprehur Hasanaj raporton EO.
Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” do të vazhdojë deri më 15 dhjetor.