Prokuroria e Specializuar e Hagës gjatë ditës së djeshme lëshoi një komunikatë për media, nga ku bëri të ditur se ka përpiluar një aktakuzë kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. E njëjta më 24 prill është dërguar në Gjykatë, teksa pritet të vendoset për rrëzimin ose konfirmimin e saj.
Më 23 prill të këtij viti, Prokuroria e Specializuar kishte njoftuar se ka përzgjedhur një gjyqtar të procedurës paraprake, që do të ketë në dorë aktakuzën e tretë me radhë të ngritur nga ky institucion ndjekës, shkruan lajmi.net.
Atë kohë, dokumenti i klasifikuar si konfidencial, kishte ndryshuar cilësimin vetëm pas katër ditësh, kur edhe ishte publikuar. Dokumenti në fjalë, mban datën e 23 prillit të orës 17:16, ndërsa në të nuk jepet asnjë detaj tjetër përveç emrit të gjyqtarit të procedurës paraprake.
Një ditë më pas, Prokuroria dërgon në gjykatë aktakuzën kundër Thaçit, Veselit dhe të tjerëve, mirëpo që nuk bën të ditur asnjë detaj në lidhje me të, pasi që ashtu edhe e përcaktojnë rregullat dhe ligjet e funksionimit të këtij institucioni. Dje, Prokuroria e Specializuar publikoi një pjesë të akuzave kundër Thaçit e Veselit “dhe të tjerëve”, duke lënë kështu dyshime se kjo komunikatë mund të ketë ngjyrime politike, pasi janë shkelur rregullat e funksionimit të saj.