Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë kundër pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Avni Berisha, i njohur me pseudonimin “Tarkani” në lidhje me sulmin që kishte ndodhur dhjetorin e vitit të kaluar ndaj drejtorit të atëhershëm të “Valës”, Agron Mustafa. Vepra penale për të cilën akuzohet Berisha, sipas KPRK-së, parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në një vjet.
KALLXO.com ka siguruar Aktakuzën në të cilën thuhet se “…me datë 30 dhjetor të vitit 2017 rreth orës 13:10, në rrugën “Enver Zymberi”, në Prishtinë i pandehuri Avni Berisha, me dashje dhe përdorim të atëçastshëm të dhunës i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Agron Mustafa, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshjeje mes veti, i njëjti e ka sulmuar duke e goditur me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të turpit, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe ku i dëmtuari Agron Mustafa ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë”.
Në lidhje me rastin e sulmit të ish- drejtorit të “Valës”, Agron Mustafa, janë intervistuar pesë persona në cilësinë e dëshmitarit, ndër ta edhe një hetues në Inspektoratin Policor të Kosovës.
KALLXO.com ka raportuar se përveç policit Avni Berisha (Tarkani), i involvuar në sulmin e Mustafës ka qenë edhe Nazim Sahiti, shefi i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, e ky i fundit nuk është hetuar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Në arsyetimin e Aktakuzës thuhet se “Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar kallëzim penal të parashtruar nga Inspektorati Policor i Kosovës, kundër të pandehurit Avni Berisha, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor. Qëllimi i procedurës hetimore ka qenë arsyetimi më i mirë për mbledhjen e provave, dëgjimin e dëshmitarëve dhe provave të tjera për të vendosur lidhur me ngritjen e aktakuzës apo pushimin e procedurës”.
Gjithnjë sipas Aktakuzës, në bazë të ekspertizës mbi mendimin dhe konstatimin e ekspertit mjeko-ligjor, dëmtimet trupore që i ka pësuar Mustafa pas sulmit janë cilësuar si lëndime të lehta trupore.
Në deklaratën e Avni Berishës (Tarkani-t), thuhet se “…ditën kritike rreth orës 12:30 është takuar me Nazim Sahitin, kolegun e tij, e më pas me të njëjtin janë nisur për të shkuar te kafet e vogla, ku rrugës është ndaluar afër zyreve të përgjimit për ta marrë një mbushës telefoni, dhe pasi që ka parkuar veturën është nisur në një distancë prej 10-15 metrave, dhe ka takuar Fatos Statovcin me të cilin është ndaluar për t’u përshëndetur dhe për të sqaruar një keqkuptim që kishin pasur më herët në një kafeteri në Prishtinë”.
Keqkuptimi mes Tarkani-t dhe shokut të Agron Mustafës, Fatosit ishte dyshimi se shokët e Tarkani-t kanë fotografuar në kafeteri, Agron Mustafën Fatos Statovcin, kryeprokurori Imer Beka dhe Blerim Poteran.
Edhe pse dyshimi ishte shuar, sepse miku i Tarkan-it i kishte treguar se nuk i kishte fotografuar, sherri nuk kishte përfunduar aty.
Sipas dëshmisë së Tarkan-it, miku i këtij të fundit Labinoti, i ishte drejtuar Fatos Statovcit “se si po dyshon që ky i fundit i ka fotografuar”, dhe në atë moment ka reaguar Agron Mustafa.
“Agron Mustafa ka ndërhyrë, duke iu drejtuar me fjalët ‘shyqyr që se kam ditë dhe se kam parë, se atë telefon në gojë j’ua kisha shti’, si dhe ka përdorur fjalë të tjera fyese dhe se për një moment Agron Mustafa i është afruar (Tarkanit) e ka kapur vrullshëm për jakne dhe kur (Tarkani) ka tentuar t’ia heq dorën janë rrëzuar nga trotuari, kanë rënë në tokë. Dhe pasi janë ngritur kanë filluar konfliktin fizik, ku edhe shihen incizimet”, thuhet në dëshminë e Avni Berishës (Tarkani-t).
Ndryshe prej asaj që thotë dëshmia e Avni Berishës, Agron Mustafa ka dëshmuar se Tarkani e ka thirrur Fatosin jo për të rregulluar keqkuptimin, por duke iu drejtuar me fjalë të rënda.
“Kam qenë duke dalë me pi kafe me Fatosin (shoku i Agron Mustafës), dhe rrugës e ka thirr Tarkani. Fatosi ja ka zgjat dorën, e ai i është kthyer ‘heke atë dorë se nanën…’, duke përdorur fjalë të rënda dhe fyese, në atë rast ka reaguar Fatosi duke iu drejtuar ‘Tarkan çka ki?’. Tarkani ia kthen përgjigjen ‘A e dini kush jam unë, ua ndaloj shehrin, edhe nanën e nanës jau q*…’. Fillimisht Tarkani e ka sulmuar me grusht Fatosin edhe mandej e ka sulmuar me grushta e shqelma, ashtu siç shihen në video incizimet’, është deklarata e Agron Mustafës.
Mustafa ka dëshmuar edhe për shefin e krimeve ekonomike, Nazim Sahitin, i cili ka qenë i involvuar në sulm.
“Nazim Sahiti nuk e ka goditur, por që ka ndërhyrë për me qetësu situatën”, thuhet në dëshminë e Mustafës, duke shtuar se ai është sulmuar në kohën kur ishte në pozitë zyrtare si drejtor i “Telekomit”.
Dëshminë e tij para Prokurorisë e ka dhënë edhe Nazim Sahiti, shefi i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.
“Isha në veturë duke pritur Avniun dhe për pak dëgjoj disa zëra jashtë, kur e kthej kryt ishte Avniu duke u përleshur me dy persona, njëri nga ta i kishte hipur Avniut përsipër. I kërkova të largohej Agronit për t`i ndarë bashkë me Avniun, dhe kur u kthye Agroni mu drejtua ’Nazim çka është tu ndodh’, e unë ja ktheva ‘largohu që këtu…’’, thuhet në dëshminë e Sahitit.
Sipas Aktakuzës, pas administrimit të dëshmive dhe provave një e nga një dhe analizimit të të njëjtave, Prokuroria ka vlerësuar se veprimet e të pandehurit Avni Berisha (Tarkani-t), paraqesin veprime që i karakterizojnë elementet esenciale të veprës penale, pasi që i pandehuri me dashje dhe përdorim të atëçastshëm të dhunës i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Agron Mustafës.
Në fund të aktakuzës e cila më pas i është dërguar Gjykatës kompetente, thuhet se konsiderohet se veprimet e të pandehurit Avni Berisha (Tarkani) përmbajnë elemente të veprës penale të parashkruara në diapozitivin e aktakuzës.
Më poshtë video e sulmit fizik ndaj Mustafës: