Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.I., S.I., F.I., I.I. dhe H.I., të cilët janë përfshirë në vrasjen në komunën e Vitisë dhe kundër të pandehurit E.I., për veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit që nga data 03 maj 2019.
Sipas aktakuzës, më 02 maj 2019, rreth orës 09:30 minuta, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, të pandehurit B.I., S.I., F.I., I.I. dhe H.I., në bashkëkryerje dhe me dashje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I., në atë mënyrë që fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së të ndjerit dhe në momentin që i ndjeri së bashku me familjarët e tij dalin që të bisedojnë për të arritur marrëveshje, të pandehurit refuzojnë, pastaj vazhdojnë t’i fyejnë dhe me mjete të forta si drunjë dhe shufra metalike, e godasin të njëjtin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast nga familjarët fillimisht dërgohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, pastaj në Spitalin Regjional në Gjilan, ndërsa pas transferimit në QKUK, në Prishtinë, konstatohet vdekja e tij.
Në bazë të raportit të autopsisë, vdekja e të ndjerit ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive në kokë dhe e thyerjes së kockave të kafkës. Po ashtu, të pandehurit iu kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore edhe të dëmtuarve K.I., E.I., A.I. dhe R.I.
Në këtë mënyrë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, i pandehuri E.I., akuzohet për veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 185 të KPRK-së, pasi që me dashje, me lopatë i ka goditur të pandehurit I.I. dhe F.I., të cilëve iu ka shkaktuar lëndime të lehta trupore