Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër P.X., person zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se i pandehur P.X në vendkalimin kufitar Vërmicë ka pranuar ryshfet nga një qytetar.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri P.X., me datë 16.09.2021 rreth orës 22:10, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në cilësinë e personit zyrtar- Doganier i Doganave të Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon përfitim pasuror për vete në mënyrë që i njëjti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që qytetari V.K., me rastin e kalimit në pikën doganore duke drejtuar automjetin e tij, me t’u ndaluar nga ana e të pandehurit është pyetur nëse ka ndonjë mall për ta doganuar i cili ka deklaruar se në bagazhin e veturës së tij ka dy auto-pjesë të përdorura, për të cilat i pandehuri ia ka kumtuar shumën e taksës doganore për të cilat dëshmitari detyrohej ta paguante.
Mirëpo i njëjti shfrytëzon rastin dhe kërkon privatisht nga dëshmitari shumën prej 50 € (Pesëdhjetë euro) në mënyrë që ky i fundit të mos i nënshtrohej taksës doganore, derisa dëshmitari paraprakisht ka raportuar rastin tek Autoriteti i Hetuesisë Doganore dhe pajtohet që t’ia jap të pandehurit shumën prej 20 € (Njëzet euro) ashtu që i pandehuri pranon paratë në fjalë dhe e liron dëshmitarin”, thuhet në njoftim.
Prokuroria bën të ditur se me këto veprime i pandehuri P.X., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.