Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K., për shkak të veprës penale “Sulmi seksual”, nga neni 229 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 nen paragrafin 3.10, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria njofton se, më 16 dhjetor 2022, në një shkollë fillore në Malishevë, i pandehuri A.K., në cilësi të zëvendës drejtorit të shkollës, me qëllim seksual dhe pa pëlqimin e saj e prek nxënësen, këtu të dëmtuarën-e mitur E.K.
E njëjta pasi del nga salla e sportit dhe shkon në tualet, aty hynë i pandehuri dhe e mbyll derën, ku fillimisht i drejtohet të dëmtuarës me fjalë provokuese e më pas e prek me duar në pjesë të ndryshme të trupit, ku e dëmtuara është larguar e trishtuar dhe e frikësuar.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri A.K., të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.