Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), S.K, nën dyshimet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se i pandehuri, S.K. nga viti 2013, deri në muaj shkurt të vitit 2019, në cilësinë e personit zyrtar në ATK, në pozitën e Ushtruesit të Drejtorit të Njësisë se Hetimeve Tatimore dhe të Inteligjencës, ka vepruar me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për 120 bizneset ekonomike.
Po ashtu, sipas njoftimit thuhet se i pandehuri S.K. për disa biznese nuk ka ndërmarr asnjë aktivitet, vizitë, kontrolle, ri-kontrolle, e as inicim të procedurave penale, duke shpërdorur pozitën zyrtare apo autoritetin e tij.
“I pandehuri S.K. ka autorizuar punëtorët e ATK-së, duke kërkuar nga ata që të vizitonin disa nga bizneset ekonomike dhe duke kërkuar nga këta zyrtarë të Administratës Tatimore, të bëjnë korrigjimet e deklarimeve tatimore në ato biznese të vizituara, në cilat deklarime kanë qenë të lidhur me faturat e dyshuara dhe transaksione fiktive me biznese fiktive, në kundërshtim të nenit 64, paragrafi 2 të ligjit të ATK-së 03/L – 222, duke mos ndërmarr veprime hetimore në procedura penale bazuar ne nenin 68 të ligjit të ATK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Me këto veprime, i pandehuri S.K. akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur më paragrafin 2, nënparagrafit 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.