Larg syve të medieve është mbajtur ngritja e një aktakuze të profilit të lartë. Nga burime të saj gazeta ka mësuar se për veprën penale krim i organizuar ka rreth një vit që Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve publikë në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me Fondin 3 për qind. Gazeta Koha Ditore e ka të konfirmuar se tashmë ka aktakuzë mbi këto dyshime për ish-kryeministrin Bujar Bukoshi, deputetin e LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi.
Të akuzuarit e mohojnë ngritjen e një aktakuze të tillë, por Prokuroria Speciale përmes një përgjigjeje zyrtare ka konfirmuar që në këtë rast përveçse është ngritur aktakuzë ka nisur edhe procesi gjyqësor.
Aktakuza është ngritur rreth një vit me parë nga ish-prokurori Faik Halilaj, i cili është pensionuar në majin e vitit të kaluar. Lëndën tash në gjykatë e përfaqëson prokurori special, Atdhe Dema, të cilit i janë bartur ato që i ka pasur në punë ish-prokurori Halili.
Fondi i 3-përqindëshit ka qenë aktiv nga viti 1992 deri në 2006. Raportet financiare të këtij fondi me para të qytetarëve, që ishin destinuar për të mbajtur gjallë sistemin paralel të shëndetësisë dhe arsimit, nuk janë bërë publike asnjëherë. Edhe pesë vjet pas vitit 2006 dyshohet se ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, përmes ish-këshilltarit të tij Atdhe Gashi e deputetit të LDK-së, Naser Osmani, kanë tërhequr qindra mijëra euro nga fondi.