Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit H.P., për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri H.P., me datën 9 gusht të vitit 2019, rreth orës 13:50, në fshatin Zahaq të Pejës, derisa zyrtari policor S.K., ishte në kryerjen e detyrave zyrtare në një vend ngjarje për dëmtim të pronës, aty del i pandehuri H.P. dhe i drejtohet me fjalët “largohuni prej ktuhi se me bo me ta lidhë ni shuplakë e sheh kush jam unë dhe nuk e din me kënd ki punë dhe uniformën nuk ki me vesh nëse unë jam gjallë”, me pas i pandehuri shoqërohet në stacionin Policor.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin t’a shpallë fajtor dhe t’a dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.