Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet F.Rr.
Prokuroria Speciale njofton opinionin se i pandehuri i lartcekur me mjetet materiale të përfituar me aktivitete të ndryshme kriminale, aktivitete që ishin të ndërlidhura me vepra si ‘’Trafikim me qenie njerëzorë’’ nga neni 171 paragrafi 1 të KPRK-së, veprën penale ‘’Mundësimi ose detyrimi në prostitucion’’ nga neni 241 paragrafi 2 të KPRK-së, ka bërë pagesën e lokaleve afariste të cilat gjendet në Fushë Kosovë.
Gjithashtu, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit së pasurisë të përfituar me aktivitete të ndryshme kriminale dhe ikjes nga përgjegjësia penale, asnjëherë nuk e ka bërë bartjen e këtyre lokaleve në emër të vet, por të njëjtat edhe sot evidentohen në emër të pronarit të më hershëm.
Me këto veprime i pandehuri F.Rr., akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’Shpëlarje e parave’’ nga neni 308 të KPRK-së, neni 56 paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Ligjit nr. 05/L96.