Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve N.P. dhe L.K., për veprën penale të vrasjes në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe 31, të KP-së, ndërsa për të akuzuarin N.P., edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KP-së.
Sipas aktakuzës, N.P. dhe L.K., më 11.01.2017, me dashje tentojnë të privojnë nga jeta të dëmtuarin I.K., i cili në ato momente ishte duke punuar në punëtorin e tij pranë shtëpisë së tij në Prizren, me qëllim që të mos dëshmoj si dëshmitarë në një proces gjyqësor.
I akuzuari Gj.P. i cili për momentin është në arrati dhe i akuzuari L.K. kanë hyrë brenda dhe e kanë sulmuar të dëmtuarin I.K.. I akuzuari Gj.P e ka sulmuar me sopat në trup dhe krahë duke shkaktuar plagë, ndërsa i akuzuari L.K., ka nxjerrë armën e zjarrit – pistoletë dhe ka shtënë dy herë nga afërsia në drejtim të dëmtuarit, me ç’ rast i shkakton lëndime të rënda trupore.
Ndërkaq, i akuzuari N.P., bënte roje në afërsi të vendit të ngjarjes dhe më pas që të tretë largohen nga vendi i ngjarjes. I akuzuari N.P. akuzohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KP-së.
Me këto veprime në bashkëkryerje kryerje të akuzuarit kanë kryer veprën penale të vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KP-së.