Aktgjykim refuzues ndaj ish-kryetarit të Kllokotit dhe pesë zyrtarëve të tjerë që akuzoheshin për korrupsion

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 14:47 | Nga

Gjykata Themelore në Gjilan, të premten, ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj ish-kryetarit të Kllokotit, Sasha Mirkoviq dhe pesë zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Dejana Stojanoviq, Sasha Totiq, Daniejl Stojkoviq, Boban Bogdanovi dhe Milosh Kojiq, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Aktgjykimi refuzues ndaj tyre është shpallur nga gjykatësi Zyhdi Haziri, pasi prokurori i rastit, Isuf Sadiku, ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj këtyre të akuzuarve, në mungesë të provave.

Të premten, ishte paraparë që të jepej fjala përfundimtare në këtë rast.

Letrën dërguar gjykatës se heq dorë nga ndjekja penale, në këtë seancë e ka lexuar prokurori zëvendësus akAgron Uka, pasi që prokurori Sadiku, ishte në pushim vjetor, raporon “Betimi për drejtësi”.

“Pas analizimit të shkresave të lëndës në tërësi, veçanërisht në provat materiale të siguruara gjatë fazës së procedurave, posaçërisht ekspertizës financiare të 18 korrikut 2018 të kryer nga eksperti financiar, Riza Blakaj, ka ardhur në përfundim prokuroi se në mungesë të provave, nuk mund të vazhdohet m tutje me arsyetim se ekspertiza lidhur me rastin penal, ku janë të akuzuar janë Sasha Mirkoviq, Dejana Stojanoviq, Sasha Totiq Daniejl Stojkoviq, Boban Bogdanovi dhe Milosh Kojiq, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, nga neni 422 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, si dhe duke i vlerësuar edhe provat tjera se furnizimi me pajisje sportive është i mbështetur me dokumentacion të rregullt, andaj lidhur me këtë në mungesë të provave hoqi dorë nga ndjekja penale nga të gjithë të akuzuarit në këtë çështje penale”, thuhej në letrën e prokurorit Isufi.

Në këto rrethana, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Zyhdi Haziri, ka shpallur aktgjykim refuzues.

Sipas aktakuzës, Sasha Mirkoviq, nën cilësi të kryetarit të Komunës së Kllokotit dhe Dejana Stojanoviq, Sasha Totiq e Daniejl Stojkoviq, anëtarë të komisionit për pranimin e mallrave, akuzoheshin se më 20 nëntor 2011, në cilësi të personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari i parë Sasha Mirkoviq, ka lejuar ndërsa të pandehurit e tjerë kanë nënshkruar raportin se kinse kanë pranuar mallra – pajisje sportive për aktivitete sportive në Komunën e Kllokotit, me ç’rast me aprovimin e kryetarit Sasha Mirkoviq, kompanisë NTSH “Sporti” në Viti i ishte bërë pagesa në shumën prej 4898 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të kësaj komune.

Me çka, akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga nen 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, Boban Bogdanovi dhe Milosh Kojiq, akuzoheshin se më 27 dhjetor 2011, në cilësi të personave zyrtarë, anëtarë të komisionit për pranimin e mallrave, kishin nënshkruar raportin se kinse kanë pranuar mallra – pajisje sportive, për aktivitete sportive në Komunën e Kllokotit, me ç’rast me aprovimin e të pandehurit Sasha Mirkoviq, NTSH “Sporti” në Viti i është bërë pagesa në shumën prej 5018 euro, duke i shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit.

Me çka, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga nen 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të ngjashme