Për integrimin e qëndrueshëm të minoriteteve, kusht është respektimi i të gjitha të drejtave të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Çështja e sigurisë dhe çështjet ekonomike zënë dy vendet e para ndër shqetësimet e qytetareve dhe qytetarëve të Veriut të Kosovës.
Ky është përfundimi i analizës “Citizen’s attitudes in North Kosovo“ të zhvilluar së fundi nga organizata joqeveritare AKTIV. Paqëndrueshmëria ekonomike e Kosovës është një nga problemet më shqetësuese që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe jo vetëm të atyre serbë, thotë për DW-në, drejtori ekzekutiv i kësaj OJQ-je, Miodrag Milicevic.
Rritje e besimit tek policia
Nga ana tjetër në krahasim me anketimet dhe analizat e mëparshme vihet re një rritje e besimit tek policia. Por në anën tjetër vihet re një prirje negative sa i përket besimit tek qeveria e Kosovës.
Dhe kjo është sipas Milicevic alarmante. Sipas tij zyrtarët e Kosovës sigurisht që nuk kanë nevojë të përcaktojnë një strategji të re, por duhet të kenë një qasje tjetër kur është fjala për komunitetet jo shumicë në Kosovë.
Dialog i hapur ndëretnik
Për përmirësimin e gjendjes mes serbëve dhe shqiptarëve sipas Milicevic-it është e nevojshme një qasje konstruktive për një dialog të hapur. “OJQ-ja jonë ka iniciuar tashmë një dialog të hapur ndëretnik mes serbëve dhe shqiptarëve në radhë të parë, por ne po përpiqemi që të angazhojmë edhe komunitete të tjera në Kosovë.”
E rëndësishme është sipas tij edhe krijimi i sinergjive mes medias dhe shoqërisë civile për të promovuar dialogun e hapur dhe atë kulturor në pjesën veriore të Mitrovicës.
Nga viti 2013 sipas Milicevic-it po bëhen hapa pozitivë për këtë dialog për integrimin e veriut të Kosovës.
Rritje e besimit tek policia, rënie besimit tek qeveria e Kosovës
Jo ndarje mes komuniteteve etnike
17 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë është krijuar një realitet i ri. Për integrimin e qëndrueshëm të serbëve të Kosovës në shoqërinë kosovare, sipas Milicevic është e rëndësishme që qeveria e Kosovës t’u shpjegojë në mënyrë proaktive qytetarëve të Kosovës se cila është përmbajtja e marrëveshjes së Brukselit, pra që nuk duhet të ketë ndarje të komuniteteve etnike dhe që dhjetë komunat nuk janë monoetnike, por multietnike të përbëra nga shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë etj.
Më shumë respekt kundrejt fqinjëve
Për integrimin e qëndrueshëm të minoriteteve, sipas drejtorit ekzekutiv të OJQ-së AKTIV, kusht është respektimi i të gjitha të drejtave të komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në lidhje me komunitetin serb, sipas mendimit të tij duhen zgjidhur një sërë çështjesh si ajo e përdorimit të gjuhës e mjaft të tjera.
Për këtë sipas tij janë të nevojshme hapa që duhen ndërmarrë nga qeveria si dhe shoqëria e Kosovës, e cila është me shumicë shqiptare: “ato duhet të tregojnë pak më shumë respekt kundrejt fqinjëve të tyre dhe ky process natyrisht që duhet të jetë reciprok mes serbëve dhe shqiptarëve.”