Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një aktivitet “simbolik” për të përkujtuar 6-mujorin e vdekjes së aktivistit të saj, Astrit Deharit.
Ata kanë vendosur grafite në objektin e Qeverisë dhe në vetura zyrtare me anë të së cilave kërkuan drejtësi për Deharin, raporton Ekonomia Online.
Derisa, zyrtarë të Vetëvendosjes po vendosnin grafite në muret e Qeverisë, punonjës të kësaj të fundit janë munduar t’i pengojnë, me ç’rast ka pasur dhe përleshje fizike. Më pas, në vendngjarje kanë mbërritur dhe policia me njësitet e saj speciale.
Aktivistët e VV-së, në mesin e të cilëve ishte dhe deputeti Glauk Konjufca, janë përleshur edhe me policinë. Aty janë parë edhe dy autoambulanca të cilat kanë ofruar ndihmë për personat e lënduar.
Glauk Konjufca, i cili është anëtar i Kryesisë së Kuvendit, në një prononcim për media tha se janë mbledhur para ndërtesës së MD-së, sepse po bëhen gjashtë muaj prej kur aktivisti i i VV-së, Astrit Dehari, ka vdekur në burgun e Prizrenit dhe askush nuk e ka marrë përgjegjësinë.
“Janë bërë gjysmë viti prej kur Astriti, i cili bashkë me pesë aktivistë të tjerë mbahej padrejtësisht në burg nga ky pushtet dhe gjeti vdekjen. Ne jemi mbledhur pikërisht para Qeverisë së Kosovës, më saktësisht te Ministria e Drejtësisë për t’i treguar përgjegjësit e vërtetë që quan në vdekjen e Astritit”, u shpreh Konjufca.
Konjufca më tej tha se tri segmente kanë qenë vendimtare që e kanë quar Astritin në vdekjen e tij: “është pushteti dhe politika që e bënë përgjegjës drejtpërsëdrejti presidentin dhe kryeministrin; është gjyqësia që e ka gjyqtarë Kashtanjevën dhe Avdiun, Rrahim Islamin; është policia e cila në krye me Shpend Maxhunin, dhe Luan Kokën e bashkë me Fatos Makollin e kanë konstruktuar rastin për ta akuzuar Vetëvendosjen për terrorizëm”.