Mediat kosovare, dje kanë raportuar për heqjen e flamujve të shtetit të Kosovës nga shtatorja e dëshmorit “Zahir Pajaziti”.
Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prishtinës, Egzon Azemi e ka marrë përgjegjësinë për heqjen e flamujve duke thënë se ky veprim është bërë me vullnetin e disa aktivistëve dhe jo të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po, dje i kemi larguar flamujt e imponuar nga shtatorja e dëshmorit “Zahir Pajaziti”.
“Ky veprim ka qenë i pakoordinuar me Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo në shenjë proteste ndaj imponimit të flamurit tek shtatoret e dëshmorëve i larguam ata”.
“Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë dhanë jetën për flamurin kombëtar, andaj nuk është turp pse ne i hoqëm flamujt e Ahtisaarit, por turp është që institucionet tona po tentojnë që edhe dëshmorëve të u’a largojnë flamurin kuq e zi, se nga çdo institucion e kanë larguar tash e sa kohë”.
“Vendosni flamujt e imponuar sa të doni e ku të doni por jo mbi flamujt kombëtar, jo duke na zhveshur historinë të tentoni të krijoni komb artificial”.
Azemi ka shkruar se ata nuk janë kundër asnjë flamuri, por “nuk do të lejojnë përdhosjen e flamurit kombëtar”.
“Ne s’jemi kundër asnjë flamuri, por kurrë s’do lejojmë përdhosjen e flamurit kombëtar. Për flamurin kuq e zi janë burgosur e madje edhe janë vrarë shumë veprimtarë, por ky flamur ka qëndruar e do qëndroj”.
“Ne e larguam flamurin kaltër e verdhë sepse kërkojmë që tek shtatorja e heroit “Zahir Pajaziti” të vendosët flamuri kombëtar”.
“Kjo ishte e vetmja rrugë, sepse te institucionet tona fjalët nuk bëjnë punë!,” ka shkruar ai.