Gjirokastra është kthyer tashmë në atraksionin turistik më të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.
Gjithashtu, Gjirokastra po bëhet mikpritëse përherë e më shumë e aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe turistike, duke promovuar dhe vlerat dhe bukuritë që ofron qyteti i gurtë.
Dy ngjarje në qendrën historike të Gjirokastrës e kanë kthyer në një festë të vërtetë qytetin jugor.
Një nga ngjarjet ishte performanca spontane e Qendrës Kulturore të Fëmijëve me grupin e valleve në një nga këndet e qytetit historik të Gjirokastrës në prani të kalimtarëve e vizitorëve të rastit, vendas dhe të huaj. Brezi i ri me performancën e tyre dhe me kostumet tradicionale i dhanë një gjallëri të veçantë qytetit dhe një eksperiencë ndryshe vizitorëve dhe kalimtarëve të cilët u ndalën dhe filluan të bënin foto.
Ngjarja e dytë kishte në fokus turizmin e aventurës dhe solli diçka ndryshe për banorët dhe vetë qytetin. Manifestimi i ”Giro dei tre mari, Albania Special Edition”, mbi 180 motora të “Club Vespa Bari” , “pushtuan ” rrugët e Pazarit Historik dhe Kalanë e Gjirokastrës.
Ky aktivitetet u organizua si bashkëpunim i Vespa Club- Bari , Konsullatës së Përgjithshme të Shqiperisë në Bari , Konsullatës Italiane të Nderit dhe Autoriteteve Lokale të Gjirokastrës, Bashkisë dhe Prefekturës.
Qyteti historik bëhet më interesant sigurisht me të tilla aktivitete, po dhe vetë aktivitetet, marrin kuptim tjetër.