Trendi i ikjes nga qyteti

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Rreth 700 vjet më parë, qyteti i Sienës në rajonin e Toskanës në Itali, ishte një qendër e fuqishme bankare dhe proto-industriale e populluar nga mbi 50.000 banorë, një shifër që në atë kohë tejkalohej vetëm nga “mega-qytetet” mesjetare, si Parisi, Londra dhe Milano.

Por në vitin 1348, kur qyteti i lulëzuar ishte në kulmin e epokës e tij të artë, gjithçka u përmbys befas papritur nga pandemia e “Vdekjes së Zezë”.

Në vetëm disa vjet, qyteti humbi 60 për qind të popullsisë së tij, dhe nisi një rënie të pandalshme. Ajo e rifitoi vetëm në shekullin XX madhësinë që kishte para pandemisë.

COVID-19 nuk është po aq vdekjeprurës sa murtaja bubonike e Mesjetës.

Por trazirat sociale dhe ekonomike të shkaktuara prej saj, kanë lënë që tani shenja të dukshme fizike në qytete moderne në Evropë: Qendrat e biznesit dikur të mbipopulluara, tashmë janë të zbrazëta, ndërsa njerëzit po zgjedhin të punojnë nga shtëpia.

Dyqanet dhe restorantet janë mbyllur. Transporti publik është reduktuar. Ka ndërkohë arsye të besohet se kjo pandemi mund të ketë një ndikim edhe më të qëndrueshëm sesa paraardhëset e saj. Për herë të parë, qëkur u shfaqën qytetet e para në botë rreth 6.000 vjet më parë, qendrat urbane nuk e kanë më monopolin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore.

Për shumë punëtorë të frikësuar nga koronavirusi – por edhe për punëdhënësit që synojnë t’i ulin kostot për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar – teknologjitë si video-konferencat, dokumentet e përbashkëta dhe mesazhet e menjëhershme, ofrojnë alternativa të vlefshme ndaj zyrave në godinat e kateve të larta.

Ndërkohë, shërbime si video-streaming, mediat sociale dhe faqet e internetit, si Reddit dhe Twitter ofrojnë një shije të efektit kulturor dhe komunitetit, që ndër shekuj ka tërhequr kaq shumë njerëz në qytetet e mëdha. Sot ju nuk keni nevojë as për një bar apo klub, për të gjetur dashurinë e jetës: Aplikacione si Tinder, Bumble ose Grindr janë shumë të gatshëm t’ju lidhin me një bashkëshort të mundshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme