Aktiviteti “Muaji i Mërgatës”, i cili është organizuar nën patronatin e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci që nga data 9 korrik, do të përmbyllet sonte në sheshin “Fehmi Lladrovci” duke filluar nga ora 21:00.
Zyrtarët nga kjo komunë kanë ftuar të gjithë qytetarët, në veçanti mërgimtarët, të jenë pjesë e eventit përmbyllës.
“Ky aktivitet ishte paraparë të mbahet për 28 ditë, por nga kërkesat e shumta të qytetarëve, kryesisht mërgimtarëve, eventi Muaji i Mërgatës është vazhduar edhe për 7 ditë të tjera.
Gjatë eventit Muaji i Mërgatës, për çdo mbrëmje ka pasur aktivitete të shumta në të cilën kanë përformuar live këngëtarë të mirënjohur të estradës sonë, si grupi muzikor Fisnikët, Baboo Darabuka, Robert Berisha, Korab Shaqiri, Besart Halimi, Shqipri Kelmendi-Lazgushi, Gent Fatali, Kosovare Hasi, Valëza Zogaj, Hajzer Gjoshi, Ardian Bujupi, Mc Kresha dhe grupi i mirënjohur muzikor Elita 5 si dhe DJ të ndryshëm . Si pjesë e aktivitetit të këtij muaji, janë vendosur në shesh edhe mini shtëpiza prej druri me pije freskuese, është mbajtur Panairi i librit, dhe janë vendosur tenda për promovimin e punimeve artizanale po ashtu është vendosur dhe kinemaja verore në shesh për shfaqjen e filmave për bashkatdhetarët tanë.
Komuna e Drenasit, falënderon të gjithë qytetarët, bizneset dhe gjithë ata që kanë kontribuar ne realizimin e këtij eventi për bashkatdhetarët tanë, si dhe për durimin e treguar, në mënyrë që eventi Muaji i Mërgatës të realizohet pa edhe ekcesin me të vogël”, thuhet në komunikatën e Komunës së Drenasit.