Aktorja Egzona Salihu thotë se e larguan për inate politike, drejtori Sadriu kundërpërgjigjet: Nuk respektoi kodin e punës

Prishtinë | 17 Gus 2023 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Aktorja Egzona Salihu është larguar nga puna në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, me arsyetimin se nuk respektoi orarin e punës. Salihu, kishte pranuar të punësohet formalisht si ndriçuese, në mënyrë që t’i mundësohet aktrimi atje, meqë Serbia nuk ia njihte diplomën e Universitetit të Prishtinës.

Salihu për Gazetën Insajderi ka thënë se arsyeja e vërtetë e largimit ka qenë për inate personale politike, derisa tha se që nga emërimi i Kujtim Sadriut në postin e drejtorit në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë është përballur me padrejtësi.

“Po me kanë larguar me arsyetimin e mos respektimit të orarit. Datat të cilat janë përdorur në atë vendim kam arsyetim po këto janë përdorur vetëm për ta kryer qëllimin e tij që ka qenë gjithmonë largimi im nga puna. Arsyeja e vërtet e largimit ka qenë inate personale politike sepse unë përballem me probleme dhe padrejtësi me shume se një vit që nga emërimi i këtij drejtori“, u shpreh Salihu.

Ajo tha se do t’i ndjekë hapat ligjor për këtë vendim të drejtorit Sadriu.

Deklaratës së aktores iu kundërpërgjigj drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Kujtim Sadriu.

Sadriu tha se arsyeja e vetme e largimit është mosrespektimi i orarit.

“Ndërprerja e kontratës nuk ka të bëjë absolutisht me politikë. Nga puna është larguar për arsye të mos respektimit të kodit të punës dhe sjelljeve që ka pasur. Vlen të theksohet se Egzona Salihu është e punësuar nga pushteti i Shqiprim Arifit, tre vjet më parë“, tha ai.

Ai tha se këshilltarja e kryeministrit Kurti, Ardita Sinanin po bënë politikë kundër Luginës së Preshevës, duke iu dalë në mbrojtje parazitëve.

“Është shumë e keqe kur e shoh këshilltaren e kryeministrit Kurti, Ardita Sinani, e cila nuk ka njohuri rreth kulturës dhe kodit të punës, dhe reagon njëanshëm. Në vend se të përkrahë dhe të motivojë njerëzit që të rrinë në punë, ajo i përkrahë parazitët. E shfrytëzon pozitën e saj për të bërë politikë me qeverinë e Kosovës, kundër Luginës së Preshevës, duke iu dalë në mbrojtje parazitëve”, u shpreh Sadriu.

Reagim pati edhe nga këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti, Ardita Sinani.

Ajo tha se vendimi është nënshkruar nga një drejtor që vetëm për kulturë nuk njihet.

“Me keqardhje u njoftova sot se Shtëpia e Kulturës merr vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, aktores së vetme të Teatrit të Preshevës, Egzona Salihut. Me arsyetimin se Egzona nuk ka respektuar disiplinën e punës! Vendim ky i nënshkruar nga një drejtor që vetëm për kulturë nuk njihet. As të teatrit, as të komunikimit e të asnjë lloji tjetër”, tha Sinani.

Ndërsa, deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka quajtur të ulët e të mjerë, vendimin e marrë.

“Sa keq. Sa ulët. Sa mjerë. E njëjta Egzonë që për shkak të mosnjohjes së diplomës nga Republika e Kosovës ka pranuar e përzgjedhur të ushtrojë profesionin e vet qoftë edhe duke u paguar si ‘ndriçuese’ e jo aktore, vetëm e vetëm të qëndrojë në vendlindje. Si heroinë e vërtetë. Pa u joshur nga mundësitë jashtë vendlindjes, por duke qëndruar këtu në mesin tonë”, ka thënë Kamberi.

Tutje, Kamberi bëri të ditur se diplomën nuk ia njohu as shteti i Serbisë, duke shtuar se Egzona është dëshmia e radhës për të ngritë zërin të gjithë së bashku.

“Diplomën nuk ia njohu Serbia – kontributin në vendlindje nuk po ia njohin sherifët lokalë. Egzona sot është dëshmia e radhës që koha për të ngritur zërin bashkërisht po perëndon. Sot Egzona, nesër dikush tjetër. Mjaftë më”, tha Kamberi në reagimin e tij.

Të ngjashme