Dejtoria e Arsimit e Komunës së Malishevës po përballet me një mori akuzash se në shkolla po mban të punësuar mësimdhënës të pakualifikuar.
Një grup mësimdhënësish që kanë vëzhguar në mënyrë të pavarur shpalljen e konkurseve për mësimdhënës në Komunën e Malishevës kanë raportuar në KALLXO.com të gjeturat, të cilat, sipas tyre, tregojnë se nuk janë shpallur vende të lira për pozita ku mësimdhënësit nuk janë të kualifikuar.
Për rreth 10 pozita të paraqitura në këtë raport, ka kërkuar qasje në kualifikimin e mësimdhënësve përkatës dhe në përgjigjen e marrë konfirmohet se ka të punësuar si mësimdhënës me diploma të kolegjeve private dhe të tillë që nuk janë të kualifikuar në të paktën në drejtime arsimore për program parafillor që kërkohet në bazë të Udhëzimit të MASHT për Normativin mbi Kuadrin Profesional Nr.06\2015.
Përveç kësaj, përmes një komunikate për media, dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Malishevë ka listuar gjithashtu dhjetëra pozita të mësimdhënësve dhe drejtorëve që po mbahen në punë sipas tyre në mënyrë të kundërligjshme.
“Si rezultat i këtyre shkeljeve të vazhdueshme në arsim, pushteti komunal është gjobitur nga gjykatat me dhjetëra mijëra euro të paguara nga buxheti i taksapaguesve të komunës së Malishevës. Duke parë një gjendje shumë të rëndë në arsim dhe të papërmirësueshme, Dega e LDK-së në Malishevë kërkon nga kryetari Begaj shkarkimin e drejtorit të DKAE-së z. Avdi Morina”, thuhet përveç tjerash në komunikatë.
Megjithatë, drejtori komunal i Arsimit, Avdi Morina ka shpjeguar arsyen e mosshpalljes së vendeve të lira në pozitat e përmendura.
“Po ju ofrojmë disa dokumente të cilat janë të bazuara në legjislacionin në fuqi për shpalljen e vendeve të punës të cilat iu referohen pedagogëve dhe të kualifikuarve në kolegjet private”, thuhet në emailin ku është bashkangjitur një referencë e Ministrisë së Arsimit rreth kësaj çështjeje.
Ndërkaq, rreth akuzave nga dega e LDK-së, drejtori Morina vlerësoi se janë thënë të pavërteta duke theksuar se Drejtoria e Arsimit vetëm ka zbatuar legjislacionin në fuqi.
“Janë thënë shumë të pavërteta në atë komunikatë. Megjithëse Drejtoria Komunale dhe Komuna ka vështirësi dhe probleme kjo po ndodh për shkak ndërrimit të shpeshtë të udhëzimeve dhe referencave që duhet t’i respektojmë”, tha Morina.