Llapi ka mposhtur Prishtinën në derbin e xhiros së 20-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll, por është një veprim i pasndeshjes i llapjanëve që i ka dhënë zjarr garës për titull.
Duke shfrytëzuar faqen zyrtare në “Facebook”, Llapi ka lëshuar një akuzë të rëndë që “Federata e Futbollit e Kosovës i ka dhënë premi 38 mijë euro Prishtinës për ta mposhtur Llapin”. Kjo komunikatë ka nxitur valë reagimesh të FFK-së, por edhe të dy klubeve të tjera pretendente për titull, Feronikelit e Prishtinës. Llapi ka pretenduar se në derbi të xhiros nuk e ka mposhtur vetëm Prishtinën, por edhe FFK-në, shkruan Koha Ditore.
“Një ditë para ndeshjes presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i pagoi FC Prishtinës premio në vlerë 38 mijë euro. Kjo nuk ndodh askund në botë, kjo është për hetuesi. Shtrohet pyetja për Komitetin Ekzekutiv, a ka raste tjera kur ndodh e njëjta gjë apo ndodhi kjo me leje të tyre”, thuhet në shkrimin e Llapit.
Të dielën, drejtori ekzekutiv-sportiv i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se bëhet fjalë për dyshime.
Duke u mbështetur në akuzën e Llapit, një akuzë ka formuluar edhe Feronikeli, që e ka bërë publike në faqen zyrtare. “Skandaloze: FFK paguan 38 mijë euro për fundosjen e Feronikelit”, është titulli i shkrimit të klubit nga Drenasi.