Trajneri i ekipit Al Ain, Zoran Mamiq, ka thënë se përballja me Real Madridin në finalen e botërorit të klubeve do të jetë sikur gara ndërmjet një veture elektrike dhe bolidit të Mercedesit në Formula 1. Por trajneri kroat mendon se ekipi i tij mund të bëjë befasi të dorës së parë edhe pse dallimi është shumë i madh mes dy skuadrave në çdo aspekt.
Dueli ndërmjet Real Madridit dhe Al Ainit do të luhet të shtunën (sot, 17:30) në stadiumin “Azyed Sports City” të Abu Dhabit. Tri orë më herët për vendin e tretë do të përballen Kashima Antlers dhe River Plate.
Kampioni i Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Ain, shkaktoi befasinë më të madhe në historinë e këtij turneu kur në gjysmëfinale eliminoi kampionin e Copa Libertadores, River Platen. Fituesi u përcaktua pas penalltive, pasi koha e rregullt përfundoi me shifrat 2:2. E Al Ain synon të bëjë befasi edhe në finale.
“Real Madridi është ekipi më i madh në botë, por nganjëherë vetura elektrike mund ta kalojë bolidin e Mercedesit në një garë. Kështu që edhe unë po shpresoj për një befasi të madhe në këtë finale”, është shprehur Mamiq. “Duam që në këtë finale t’ia komplikojmë punët Realit. Edhe pse Reali është favorit i madh, por nganjëherë bolidët nuk punojnë aq mirë sa pritet prej tyre. Kemi një shpresë të vogël dhe do të dalim në fushë me këtë në mendje”.
Ndërkohë Reali po e kërkon trofeun rekord të këtij turneu, të katërtin. Trajneri i madrilenëve, Santiago Solari që zëvendësoi Julen Lopeteguin e shkarkuar, po shpreson në suksesin e parë me kampionin e Evropës.