Evropa është vënë në alarm pasi që numri i rasteve të infektimit me koronavirusin e ri më se është dyfishuar gjatë vetëm dhjetë ditëve të fundit, teksa disa shtete të pjesës jugore të kontinentit kanë raportuar shifrat më të larta ditore të rasteve gjatë kësaj jave.
Në gjithë kontinentin janë raportuar më shumë se 200.000 raste ditore të infeksionit për të parën herë që nga shpërthimi i pandemisë, në shifrën që ka tejkaluar bilancin njëzetekatërorësh nëpër Indi, Brazil dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton KOHA.
Shkalla e rritjes është shpjeguar me kryerjen e më shumë testimeve ditore sesa gjatë valës së parë të pandemisë. Ndërsa, deri më tani, Evropa ka evidentuar më shumë se 7.8 milionë të infektuar rreth 247.000 të vdekur nga sëmundja pandemike.
Spanja gjatë kësaj jave është bërë vendi i parë i Evropës Perëndimore që ka tejkaluar shifrën prej 1 milion rasteve me COVID-19, por të premten, kryeministri Pedro Sanchez ka bërë të ditur se numri i vërtetë mund mbase të jetë më i lartë se tre milionë.
Ndërkohë, në Sllovaki nga e shtuna do të fillojë zbatimi i izolimit mbarëkombëtar që do të zgjasë të paktën deri më 1 nëntor, ka bërë të ditur kryeministri Igor Matovic. Qeveria ka planifikuar, po ashtu, që të ndërmarrë testime masive për COVID-19 gjatë së premtes dhe të shtunës, duke i vënë në shënjestër zonat më të prekura të vendit.
Në Francë, ku bilanci ditor i infeksioneve të enjten e tejkaloi shifrën prej 40.000 rastesh, Qeveria ka zgjeruar masën e orës policore për të përfshirë edhe qytetet e tjera, pos kryeqytetit Paris dhe disa zona përreth tij.
“Çdo orë në Francë nga 1.000 persona konfirmohen si të prekur me COVID-19. Çdo minutë shënohet nga një hospitalizim i ri. Hapat që ne po ndërmarrim kanë për synim sprapsjen e këtij trendi. Akëcili prej nesh e bart nga një copëz të zgjidhjes”, ka shkruar në Twitter ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran.
Në Poloni, ndërkaq, nga e shtuna do të mbyllen restorantet dhe baret për dy javë radhazi, ndërsa tubimet publike do të kufizohen në vetëm pesë persona. Kjo pasi që shkalla e infektimeve të reja ditore ka kaluar rekordin prej 13.600 rastesh.