Alarmi se një mjet shpërthyes është gjetur në banesën e drejtorit të Postës së Kosovës Sejdi Hoxha në lagjen “Arbëria” në kryeqytet ka dalë të jetë i rrejshëm.
Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online vet kryeshefi ekzekutiv Sejdi Hoxha.
Ai ka thënë se nuk ka të bëjë me bombë, por me një dhuratë për lindjen e djalit.
“S’ka pasur bombë, por një dhuratë e mbështjellë. Kishim një shqetësim për një pako, e cila u gjend para derës së banesës ku unë jetoj me gruan dhe fëmijët, kjo pako doli të ishte një dhuratë nga fqinjtë tanë të cilët e kanë sjellë për lindjen e djalit”.
“Ndërsa dikush e ka lajmëruar Policinë për një mjet të dyshimtë, se gjoja ka një bombë. Më janë shqetësuar familjarët nga pjesëtarët e Policisë duke mos ditur se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Hoxha për Ekonomia Online.
Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se alarmi për një mjet të dyshuar ka dalë që të jetë i rrejshëm.