Organizata “Albanians for America” ka mirëpritur nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përmes një deklarate, “Albanians for America” ka bërë të ditur se e mbështet nominimin e Sejdiut dhe u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që procesin e zgjedhjes së presidentit ta trajtojnë mbi bazën e interesit shtetëror.
Sipas kësaj organizate, Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme, demokratike dhe të besueshme, ndërsa zgjedhja e presidentit duhet të bëhet duke pasur në fokus interesin e shtetit.
“Albanians for America e mbështet nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut dhe u bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që këtë proces ta trajtojnë mbi bazën e interesit shtetëror dhe nevojës për institucione të qëndrueshme, demokratike dhe të besueshme”, thuhet në deklaratë.
Organizata ka theksuar se Kosova ka nevojë për një president që do të luajë rol bashkues, do të përfaqësojë dhe mbrojë interesin shtetëror të vendit.
“Kosova ka nevojë për një President që bashkon, përfaqëson dhe mbron interesin e saj shtetëror, si dhe forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin euroatlantik të Republikës”, thuhet më tej në deklaratë.
Në këtë drejtim, “Albanians for America” ka vlerësuar të rëndësishëm forcimin e partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ruajtjen e orientimit euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Në fund, organizata u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e vonojnë procesin dhe të përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
“Prandaj, u kërkojmë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që, pa humbur kohë, të përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe të votojnë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, përfundon deklarata.