Deputetja nga radhët e AAK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se në seancën e sotme të Kuvendit, do të votojë pro tërheqjes së 30 përqind të mjeteve nga Trusti, duke përmendur rritjen e çmimeve si arsye për këtë.
“Niveli i lartë i çmimeve ka bërë që këtyre ditëve të marr shumë kërkesa nga qytetarët për të përkrahur Projekligjinin që hap mundësinë e tërheqjes së një pjese të mjeteve nga Trusti. Nga shumë kontakte e takime që kam pasur me qytetarë , konstatimi ka qenë se tërheqja e këtyre mjeteve nuk e zgjidh krizën ekonomike në vend, por natyrisht se do të jetë ndihmës për të përballuar situatën ekonomike nga trendi i rritjes së çmimeve të konsumit”, ka shkruar Reshitaj në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
“Unë kam marr besimin e qytetarëve për të qenë Zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës, për të qenë pranë tyre dhe me ta kurdo që atyre u nevojitet mbështetja ime. Prandaj sot në përgjigje të të gjithë atyre që më kanë kërkuar mbështetje për miratimin e Projekligjit që hap mundësinë për tërheqjen e një pjese të kursimeve të tyre nga Trusti u them se do të votoj PËR”, shtoi deputetja.
Tutje Reshitaj i bëri thirrje deputetëve tjerë që ta mbështesin miratimin e këtij Projektligji.