Jeni duke rikthyer pakëz dinjitetin e Kosovës përballë Serbisë. POR jeni duke gabuar shumë,, madje tmerrësisht rëndë, me refuzimin e gazit amerikan. Mjaftë më me këtë qasje amatore dhe negative ndaj ofertës së qeverisë së Joe Bidenit për gazifikim dhe gazin LNG.
Kryeministër dhe Kryetare e Republikës së Kosovës, personalisht unë ua heq kapelën që të dielën e thyet trendin e vjetër të politikanëve dhe pushteteve të mëparshme të Kosovës ndaj kutive të votimit të Serbisë.
Shpresoj shumë se të do t’i mbeteni besnik këtij qëndrimi dinjitoz edhe ndaj zgjedhjeve të dyfishta të Serbisë me 3 Prill, përkundër presionit të jashtëzakonshëm që e keni mbi supet tuaja nga shtetet e BE-së dhe SHBA-të. Mos lëshoni pe ju lutem.
POR, sa jeni duke bërë mirë shumë ndaj Serbisë në këtë rast, mijëra herë më shumë dhe jashtëzakonisht keq jeni duke bërë ndaj qeverisë së Kryetarit Joe Biden, dhe po aq edhe ndaj vet Kosovës, për gazin amerikan të cilin jeni duke e refuzuar, përkatësisht zvarritur përgjigjen definitive në mënyrë të paskrupullt.
Me vendimin guximtar për ngjarjet e 16 Janarit ndaj referendumit të Serbisë, mua më duket se jeni duke ia kthyer gradualisht dinjitetin shumicës së qytetarëve të Kosovës, e bashkë me ta edhe Republikës së Kosovës të poshtëruar vite me radhë nga politikanët servilë tej maje, që nënshkruan dhe lejuan për Serbinë, çfarëdo që iu është kërkuar nga BE dhe SHBA-të.
POR, kujdes shumë ju lutem me qasjen tejet negative që jeni duke e bërë deri me tash me të ardhmen e raporteve të bisnesit me SHBA-të.
A nuk jeni duke dashur që ta kuptoni, apo jeni naiv dhe amatorë tejet mase për ta kuptuar se gazi LNG amerikan dhe eksporti i tij nëpër vendet e BE-së dhe rajon të Ballkanit është tash e disa vite « arma » kryesore në politikën e jashtme ekonomike për SHBA-të përballë Rusisë, këtë unë nuk mund ta di, sepse nuk kam mundësi të hyj e të shpurdhë brenda trurit të të dy juve.
Por, a e keni pyetur ju të dy ndonjëherë veten: Pse SHBA-të u dashkan që përjetësisht t’i qëndrojnë Kosovës në ndihmë sa herë që ajo ka probleme politike dhe sigurie me Serbinë ?
Cili qenka ai farë « detyrimi » që paska SHBA ndaj Kosovës dhe shqiptarëve sipas jush ?
Unë them shkurt dhe shqip : fare asnjë detyrim nuk e kanë SHBA-të që të na përkëdhel neve si fëmijën në djep, kur shteti-Kosovë-fëmijë është në vajë.
Kosova mund të rritet e shëndoshë dhe e fortë vetëm duke ndërtuar raporte të forta biznesi me SHBA dhe po aq edhe me vendet e fuqishme ekonomike të Evropës, sidomos me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.
Ngutuni dhe nënshkruajini marrëveshjen me qeverinë e Bidenit për gazifikim dhe import të gazit LNG, jo vetëm për 250 Mwh rrymë elektrike, por më shumë.
Unë madje ju sugjeroj që të tejkaloni ofertën e MCC-së dhe qeverisë së Bidenit e të bleni dy herë më shumë, pra edhe për 250Mwh të tjerë përmes Shqipërisë, pos përmes Greqisë (me kushtin që Greqia ta njeh pavarësinë e Kosovës).
Jam i sigurt se paratë për këtë investim madhor gjenden E keni ndalur ndërtimin e autostradës nëpër Dukagjin (Istog-Gjakovë) dhe keni ruajtur/kursyer afro 700 milion Euro. Merreni, përdoreni këtë kursim parash dhe kërkoni edhe nga DFC Amerikane, EIB e BE-së në Luxemburg, EBRD në Londër, kredi të buta për të prodhuar me gaz amerikan 500Mwh rrymë elektrike, me erë e me diell.
Liderët e mëdha ndërmarrin vendime të mëdha. Arsyetojeni bindjen e elektoratit tuaj se jeni të tillë, pikërisht në këtë sektor sidomos, për investime prodhimi në ekonomi, e në këtë rast në sektorin e energjisë.
Gradualisht dhe paralelisht, deri në ndaljen e prodhimit të rrymës me thëngjill, investoni bashkë, si qeveri (përmes ndërmarrjes së re publike që mund të krijohet apo edhe si KEK) me sektorin privat vendor dhe të huaj edhe në rrymë elektrike me erë dhe diell, edhe më shpejt seç po synoni.
Kur të vjen koha për ndalur përdorimin e gazit, e për këtë do të kalojnë edhe më shumë se dy dekada, të paktën, nëpër të njëjtat tubacione do të duhej importuar hidrogjenin Amerikan, apo më shumë amerikan sesa evropian.
Me fjalë të tjera, renditja e masave që duhet ndërmarrë ju që jeni tash në pushtet në sektorin e dërmuar energjetik në Kosovë është e madhe, por thelbi i këtij shkrimi është se ju duhet që t’ia SHBA-ve një arsye bisnesi për ta ndihmuar Kosovën e dobët shumë ekonomikisht.
Prandaj, tash e pa vonesë, ia jepni urgjentisht një arsye biznesi qeverisë së Bidenit që të reflektojë urgjentisht që të ndryshojë qëndrimin ndaj asociacionit për serbët, e t’i ndihmojë Kosovën përballë kërkesave të Serbisë dhe të BE-së për bosnjizim.
Albin dhe Vjosë, nëse këtë nuk e bëni urgjentisht, unë personalisht nuk po shoh asnjë arsye tjetër pse u dashkan SHBA-të që të prishen pakëz me BE-në për asociaconin e rrezikshëm e ta ndihmojnë Kosovën që të mos shndërrohet pas disa viteve në një Bosnjë të dytë të paralizuar dhe jofunksionale.
Ky është ndryshimi madhor që mund të bëni në raport me SHBA-të. Blejeni gazin amerikan dhe filloni pa asnjë vonesë gazifikimin.
Mos humbni më kohë me arsyetime banale dhe qesharake dhe amatore. Mjaft më.
Shkruan Ekrem Krasniqi, Bruksel