Sot pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të bëj certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, ku edhe zyrtarisht partia e Albin Kurtit, Vetëvendosje (VV), do të shpallet fituese e këtyre zgjedhjeve.
VV me votat që ka marrë e ka mandatin që ta formojë qeverinë, mirëpo për ta formuar atë, Kurtit i duhet gjithsesi edhe një parti tjetër, e që me shumë gjasë do të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partneri i tyre për koalicion.
Sipas rezultateve preliminare, Albin Kurti është personi më i votuar në Kosovë dhe padyshim që ai pritet edhe kryeministri në ardhje i vendit.
Mirëpo sipas statutit të VV-së, që është i publikuar në formë elektronike në uebsajtin e këtij subjekti, Kurtit do i duhet që të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë.
Sipas nenit 73.3 të statutit të VV’së, nëse Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! zgjidhet kryeministër, jep dorëheqje nga pozicioni i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje!.
Kështu, pasi Kurti të zgjidhet kryeministër dhe jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Lëvizjes, detyrën e këtij të fundit në VV e merr nënkryetari i parë, e që në këtë parti është Besnik Bislimi.
Sipas nenit 74.3.ç: Në rastet kur Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! jep dorëheqje, shkarkohet nga detyra ose nuk mund ta kryejë më detyrën e tij, Nënkryetari i parë i ushtron të gjitha kompetencat e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme.
Mirëpo edhe pse statuti i VV’së e rregullon një gjë të tillë, emri i Glauk Konjufcës mbetet më i preferuari që ai të marrë drejtimin e këtij subjekti, pasi që edhe është krahu i djathtë i Kurtit si dhe ka dalë më i votuar brenda subjektit dhe në të gjithë Kosovën duke arritur të mbledhë më shumë se 72 mijë vota.
E para zgjedhjeve të 6 tetorit, ishte edhe Kurti ai që paralajmëroj që do të japë dorëheqje nga kryetari i partisë nëse i fiton zgjedhjet, shkruan Metro.
Në një debat zgjedhor në njërën nga televizionet në Kosovë, Kurti kishte deklaruar se do ta respektoj statusin e subjektit të tij politik që në rast se merr funksion zyrtar duhet lëshuar postin e tij.
“Do ta respektoj statusin e Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh Kurti, në formë pohimi se do të jap dorëheqje.
Vlen të përmendet se ishte pikërisht posti i Krytarit të VV’së që dërgoi deri në përçarjen e këtij subjekti në vitin 2017. Ku 12 deputetë të këtij subjekti, nuk ishin në gjendje të pranonin kandidaturën e Kurtit për kryetar dhe u larguan duke krijuar subjektin e tyre.