Albin Kurti iu frikësohet zgjedhjeve

Prishtinë | 18 Sht 2023 | 16:51 | Nga Adil Behramaj

Albin Kurti është politikani i vetëm që i ka humbur menjëherë zgjedhjet e dyta, pasi i ka fituar të parat. Kur Ibrahim Rugova ka fituar, ai i ka fituar radhazi disa palë zgjedhje qendrore dhe lokale. Kur Hashim Thaçi ka fituar në fund të vitit 2007, i ka fituar më pas edhe shtatë palë zgjedhje radhazi, qendrore dhe lokale. Kur Albin Kurti ka fituar më 14 shkurt 2021, brenda të të njëjtit vit i ka humbur menjëherë zgjedhjet lokale.

Albin Kurti i frikësohet zgjedhjeve, sepse është i vetëdijshëm për rënien e madhe që e ka në votë. Është i vetëdijshëm që ka ardhur në pushtet si eksperiment politik dhe që qytetarët ia kanë dhënë votën vetëm për ta provuar. Pas dështimit të gjithanshëm në qeverisje, pas izolimit dhe sanksioneve ndërkombëtare, pas prishjes së raporteve me SHBA-në dhe me vetë Shqipërinë, thjesht duhet të jesh i vërbuar politikisht për t’ia besuar sërish votën.

Kosovës nuk i duhen paranojat dhe konspiracionet e Albin Kurtit, por kryerja e përgjegjësive që i takojnë ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje, që të mund të dalë më pas nga qorrsokaku ku është futur për shkak të paaftësisë së kësaj Qeverie!

Të ngjashme