Lëvizja Vetëvendosje si partie fituese e këtyre zgjedhjeve nuk po dëshiron që në koalicionin qeverisës të marrë edhe koalicionin Nisma-AKR-PD.
Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron një koalicion të tillë me këtë koalicion, ata tani preferojnë që në koalicion të marrin pakicat joserbe, që në këtë rast i bie të jetë grupi 6+ e cila përfaqësohet me 6 deputetë, aq sa është e mjaftueshme për formimin e Qeverisë dhe funksionimin e saj.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se tani janë të fokusuar të ndërtojnë koalicionin me LDK-në.
“Zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë mesazh i qartë: populli ka votuar për ndryshim dhe ata që deri dje ishin në qeverisje të kalojnë në opozitë. Tash për tash jemi të fokusuar që të ndërtojmë koalicionin qeverisës me LDK-në. Ekziston mundësia për bashkëpunim edhe me pakicat joserbe”, tha Manxhuka.
“Mirëpo, fryma në Lëvizjen tonë është që të mos kemi koalicion me koalicionin NISMA-AKR-PD. Por përtej kësaj, ende s’janë certifikuar rezultatet dhe për ne rezultatet zyrtare janë ende ato që i ka shpallur KQZ”, ka thënë ai.”, ka thënë Manxhuka.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje dëshiron një koalicion vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kështu duke përjashtuar partitë e tjera shqiptare dhe Listën Serbe e cila këtë herë do të ketë 10 deputetë të saj në Kuvend.
Por, ky koalicion do të jetë i vështirë të ndodhë, pasi tani VV-LDK kanë së bashku vetëm 57 deputetë, 4 më pak se që ju nevojiten për formimin e Qeverisë me 61 vota.
Lideri i VV’së dhe kryeministri në ardhje, Albin Kurti ka deklaruar ditë më parë se do të takohet me kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa që të dakordohen dhe të ndajnë postet ministrore, pozitat e larta në insititucione publike si dhe ato të pozitës së Presidentit.