Kryetari i Vetëvendosjes po frikësohet se do ta humbë edhe komunën e vetme që i ka mbetur, Prizrenin. Dy ditë pasi këtë komunë e vizituan Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu, ku edhe u përfol për bisedime të mundshme me Haskukën për të kaluar në krahun e Molliqajt, Albin Kurti u përgjigj duke shkuar menjëherë në Prizren, shkruan Gazeta Express.
Në të njejtën ditë kur Express raportoi për takimin e Ahmetit me Haskukën, si dhe për mundësitë që ky i fundit të ndërroj kahen e përkrahësve në VV, Kurti vizitoi Prizrenin.
Përmes Facebook-ut, Haskuka ka shkruar se së bashku me “babën” kanë qenë në një koncert. Për Kurtin, ai ka shkruar se është shoku i tij më i veçantë.
“Ndonëse nuk jam njohës i grupit muzikor “Algeires”, me rekomandim të Albinit sonte isha në koncert të grupit nga SHBA në kino Lumbardhi. Njoha shumë miq të rinj dhe i takova disa të vjetër. Ndër ta, shokun më të veçantë dhe kryetarin Albinin. Do ti’a kthejmë Prizrenit epitetin e qendrës së kulturës” ka shkruar Haskuka.
E kryetari i Prizrenit siç duket po tenton të mbajë marrëdhënie të mira me të dy krahët. Për Ahmetin e Sejdiun kishte shkruar se i ka “dosta”, e për Kurtin që e ka shok të veçantë.
Express ka raportuar se Ahmeti ishte edhe i dërguari i Kurtit për pajtim brenda partisë, por i njëjti nuk ia ka arritur qëllimit.
Tash Kurti po frikësohet se Ahmeti dhe ata që identifikohen si krahu i Molliqajt mund ta dëmtojnë edhe më shumë duke i marrë aktivistë dhe zyrtarë tjerë për të themeluar partinë e re.