Lajçak: Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për planin evropian, ka mbetur të pajtohen vetëm edhe për implementimin e tij

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 17:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Kurti, ka thënë se tashmë palët e dialogut Kosovë-Serbi janë pajtuar mbi planin evropian dhe se ka mbetur vetëm që të pajtohen edhe mbi planin e implementimit, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se është në Prishtinë pikërisht për të diskutuar rreth kësaj, në mënyrë që Kosova të vazhdojë me hapat e mëtutjeshëm e që marrëveshja të bëhet ligjërisht e detyrueshme.

“Siç e dini, takimi i 27 shkurtit ka qenë një sukses. Të dy liderët, edhe Kurti edhe Vuçiq janë pajtuar se nuk ka nevojë që marrëveshja të diskutohet. Ajo është publikuar tashmë, mirëpo nëse duam që ajo të bëhet ligjërisht e detyrueshme, partitë duhet të pajtohen edhe në planin e implementimit”.

“Pra, duhet t’ dimë hapat e mëtutjeshëm. Për këtë edhe jam në Prishtinë, që ta diskutoj planin e implementimit me kryeministrin Kurti”.

Tutje, Lajçak tha se biseda me kryeministrin Kurti ka qenë konstruktive e se ajo i ka takuar pritshmëritë e tij.

“Mund të them se kemi pasur biseda konstruktive, të rëndësishme dhe shumë të dobishme. Unë gjithashtu takova edhe zonjën presidente, me të cilën patëm një bisedë për komunitetin internacional”.

“Arsyeja kryesore e këtij takimi është që të shoh dhe të marrë informacione se si Kosova e sheh implementimin dhe ky takim ka takuar pritshmëritë e mia”, ka thënë Lajçak, raporton EO.

Ai ka treguar se për të njëjtin qëllim do të jetë edhe në Beograd.

“Do të jem edhe në Beograd të hënën dhe të martën për të parë se si Serbia e sheh këtë punë”, ka shtuar Lajçak.

Ai tutje ka thënë se shpreson që në Ohër të jenë në gjendje që të arrihet pajtim për një dokument dhe një letër.

“Pastaj shpresojmë se do të jemi në gjendje të kemi një letër, një dokument për të cilin do të pajtohemi me datën 18 në Ohër. Është e pamundur që në këtë moment të them shumë. Takimet do të vazhdojnë.”

Ai ka thënë se pas këtij takimi i di shumë mirë pritjet e Kosovës dhe se tashmë është koha për t’u fokusuar në finalizim.

Pasi të përfundojë hapi i finalizimit, Lajçak thotë se do të pasojë formalizimi, por që fillimisht duhet përfundohet finalizimi i një dokumenti të vetëm për të cilin palët bien dakord.

“Tani i di shumë më mirë tani pritjet e Kosovës për implementimin. Duhet të fokusohemi në finalizim. Dhe hapi tjetër do të jetë formalizimi. Do të shkojmë atje, por një herë duhet të përfundojmë hapin e dytë. Ambicia sigurisht do të jetë të finalizojmë, të finalizojmë implementimin”, ka përfunduar Lajçak.

Të ngjashme