Albin Tahiri i kënaqur që e përfundoi edhe garën e fundit pa dalë nga shtegu

Prishtinë | 22 Shk 2018 | 11:07 | Nga

Albin Tahiri ka mbyllur garat e tij në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018. Skitari ynë zuri
pozitën 39 nga 108 garues në disiplinën e sllallomit, ku shumë garues u diskualifikuan, transmeton Ekonomia Online.

Komiteti Olimpik i Kosovës përmes një komunikate bën të ditur se pas dy lëshimeve Tahiri pati kohën 2:02.93 sekonda. Në lëshimin e parë garuesi i Kosovës ishte i 48-ti, me kohën 1:00.98 sekonda.

Ai u shpreh i kënaqur me rezultatin.

“Sot ishte një garë e vështirë, shumë garues nuk e përfunduan, unë ia dola dhe jam i lumtur për
këtë. Vendi 39 nuk është i keq. Krejt çfarë mund të them është se të gjitha garat i përfundova deri në
fund dhe ky është një sukses në vete. Të jesh gati çdo ditë në borë është lodhje, andaj ju
faleminderit të gjithëve këtu dhe atyre në Kosovë për përkrahjen”, tha Albin Tahiri pas garës.

Trajneri i tij, Agim Pupovci, nuk kishte pritur paraqitje të tillë në sllallom, pasi disiplinat më të mirë
për Albinin janë disiplinat e shpejta.

“Sot ishte gara e fundit, jemi të kënaqur, na ka befasuar me sllallom, sidomos me lëshimin e parë ku
shumë garues nuk e përfunduan. Na ka befasuar për të mirë në disiplinat teknike, pasi më shumë
kemi pritur në disiplinat e shpejta”, tha Pupovci.

Medaljen e artë e fitoi suedezi, Andre Myhrer, me kohë 1:38.99 sekonda. E argjendta shkoi për
zviceranin, Ramon Zenhauersen (1:39.33 sek), kurse të bronztën e fitoi austriaku, Michael Matt, me
kohë 1:39.66 sek.

Kujtojmë që Albini garoi edhe në katër disiplinat tjera si: kombinim alpin (vendi 37), lëshim (50),
super sllallom të madh (47), sllallom të madh (56) dhe sllallom (39).

 

Të ngjashme