Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së.
Aty është votuar me shumicë votash që subjekti që drejton Ramush Haradinaj të bashkohet në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate.
Këtë e ka konfirmuar pas mbledhjes vetë Haradinaj, ku ka thënë: “Ka pasur plot diskutime rreth kësaj por është votuar me shumicë të votave me dy abstenime për marrëveshje për koalicion me PSD-në”, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj ka thënë se për pikat programore dhe marrëveshjen që do të nënshkruhet kanë paraparë një konferencë të përbashkët me Shpend Ahmetin.
Ndërsa se a do të takohet me Isa Mustafën, Haradinaj ka thënë se nuk është kundër takimeve por se është i zënë me punë të tjerë tash për tash.
“Nuk kam kundër ta takojë çdokënd por më duhet t’i kryej punët që kam për t’i kryer”.
AAK-ja përkitazi me vendimin e Këshillit Drejtues për koalicion parazgjedhor me PSD-në ka njoftuar edhe përmes një komunikate për media.
Kjo është komunikata e plotë:
Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, e ka votuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Partinë Social Demokrate të Kosovës. Njëkohësisht, Këshilli Drejtues i AAK-së, që është organi më i lartë drejtues i Partisë, e ka mandatuar kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, për diskutime për zgjerimin eventual të Koalicionit parazgjedhor të AAK-së.
Në arsyetimin e paraqitur nga Kryetari Haradinaj për koalicion AAK-PSD, thuhet se bashkëpunimi mes forcave politike, në rastin konkret me PSD-në, është një moment mëse i domosdoshëm në përpjekjet e krijimit të boshtit të fitores, kjo me qëllim të fuqizimit të Kosovës, përballë sfidave që e presin dhe të forcimit të institucioneve dhe rritjes së përgjegjësisë përballë qytetarëve.