Algjeria tërheq ambasadorin e saj nga Franca pas tensioneve mes dy vendeve

Prishtinë | 03 Tet 2021 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Algjeria ka tërhequr ambasadorin e saj nga Parisi pasi presidenti francez Emmanuel Macron bëri vërejtje kritike për Algjerinë, duke thënë se ish-kolonia franceze drejtohej nga një sistem politiko-ushtarak.

Macron tha se Algjeria ka një histori plotësisht të rishkruar.

Ai tha se kjo histori nuk bazohet në të vërtetat por në një diskurs urrejtjeje ndaj Francës.

“A kishte një komb Algjerian para kolonizimit francez?”, pyeti Macron në të përditshmen franceze Le Monde.

Është hera e dytë që Algjeria tërheq një ambasador nga Franca, shkruan france24, transmeton Klankosova.tv.

Lëvizja e së shtunës erdhi mes tensioneve mbi një vendim nga Franca për të ulur ndjeshëm numrin e vizave që u jep qytetarëve të Algjerisë, Marokut dhe Tunizisë.

Franca javën e kaluar tha se do të zvogëlonte ndjeshëm numrin e vizave të dhëna për njerëzit nga Algjeria, Maroku dhe Tunizia, duke akuzuar ish-kolonitë franceze se nuk po bënin sa duhet për të lejuar emigrantët ilegalë të ktheheshin.

Ministria e jashtme e Algjerisë e përshkroi masën si një vendim të njëanshëm të qeverisë franceze.

Ministri i Jashtëm i Marokut Nasser Bourita e ka përshkruar lëvizjen franceze si të pajustifikuar.

Presidenti tunizian Kais Saied shprehu zhgënjim në një telefonatë me Macron, ndërsa udhëheqësi francez kishte thënë se vendimi mund të rishikohet.

Të ngjashme