Përfundimi i “Big Brother VIP Kosova 4” solli ndryshime edhe në jetën personale të disa prej ish-banorëve, përfshirë Klodian Mihajn.
Pas daljes nga shtëpia, Klodi dhe Alice Maselli i dhanë fund marrëdhënies së tyre, duke mbyllur përfundimisht kapitullin e romancës që kishte ekzistuar para pjesëmarrjes së tij në format.
Gjatë qëndrimit në shtëpi, raporti i Klodit me Alice-n ishte përmendur shpesh si një nga arsyet që e pengonte atë ta thellonte afrimitetin me Elijonën.
Pas përfundimit të spektaklit dhe ndarjes nga ish-partnerja, Klodi dhe Elijona e kanë bërë publike lidhjen e tyre, duke e vazhduar raportin edhe jashtë kamerave.
Megjithatë, fotografitë e çiftit të ri kanë sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa përdorues të TikTok-ut kanë nisur t’ia dërgojnë Alice-s pamjet ku Klodi dhe Elijona shfaqen në momente romantike, ndërsa të tjerë i kanë publikuar ato në hapësirën e komenteve në profilin e saj.

Përballë mesazheve të vazhdueshme, Alice vendosi të reagojë publikisht, duke kërkuar që ndjekësit ta respektojnë distancimin e saj nga kjo histori.
“Djema, sinqerisht jeni bërë të padurueshëm. Keni zero respekt. Shkoni dhe komentoni në TikTok-ët e tyre, jo në të mitë. Unë kam ecur përpara, faleminderit”, shkroi ajo.
Me këtë reagim të drejtpërdrejtë, Alice bëri të qartë se nuk dëshiron të përfshihet në zhvillimet e lidhjes së ish-partnerit të saj dhe se pret nga publiku të respektojë privatësinë dhe vendimin e saj për të vazhduar përpara.