Aliu akuzon qeverisjen e kaluar për projekte jocilësore në Ferizaj

Prishtinë | 06 Maj 2018 | 08:01 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka akuzuar paraardhësin e tij nga LDK-ja, Muharrem Sfarqa për moskryerjen e obligimeve dhe punëve në mënyrë cilësore, gjatë mandatit të tij.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Aliu ka thënë se në komunën e Ferizajt, projektet infrastrukturore janë kryer në mënyrë jocilësore dhe shumë prej tyre janë përfunduar dhe pranuar teknikisht. “Si pasojë e e kësaj shumë projekte kanë mbetur peng për shkak të mungesës financiare”, ka theksuar ai.

“Ne tani duhet të shlyejmë obligimet dhe borgjet sepse ato tashmë janë lënë të pambaruara tek përmbaruesit dhe kjo kap një shifër bukur të madhe të faturave që janë tashmë të përmbaruara në komunën e Ferizajt dhe deri tash ne kemi mbyllur procesin e kryerjes së këtyre obligimeve në shumën prej 2 milionë euro”, tha Aliu.

Aliu tha se Komuna e Ferizajt ende nuk i ka siguruar të gjitha fshatrave sistemin e ujësjellësit prandaj sipas tij, komunës së Ferizajt i ka mbetur edhe pak kohë që të gjitha fshatrat të kenë të futur sistemin e ujësjellësit, ndërsa kanalizimi në këtë komunë është i sistemuar pothuajse 100%.

“Ne jemi duke u munduar të rishikojmë mundësi të reja që të mos ketë vetëm gypa të shtrirë nëpër sipërfaqe ku gravitojnë qytetarët, por që në fakt këto gypa duhet të jenë të mbushura me ujë cilësorë, ne kemi pasur projekte të shumta edhe në të kaluarën dhe tash, sepse ne e kemi pasur një donator të përhershëm e në këtë rast shtetin zviceran, qeverinë zvicerane përmes programeve të tyre”.

“Komuna e Ferizajt është një nga përfituesit më të mëdhenj në Republikën e Kosovës, por prapë nuk janë zgjidhur problemet sepse janë bërë këto projekte kryesisht përmes shpimit të puseve dhe kemi ankesa përkundër që ka sisteme të ujësjellësit, por ne nuk kemi ujë të bollshëm cilësor për të pirë dhe do bëjmë gjithë analizat e duhura për të shikuar se ku kërkohet intervenimi për të siguruar ujë të bollshëm dhe cilësor, ndërsa aty ku mungon përmes ndërtimit të një fabrike të ujit në Talinovc të Muhaxherve”.

“Ky projekt ka kaluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe jemi në fazën e përzgjedhjes së implementuesëve të këtij projekti i cili do të ketë kapacitete prej 80 litrave ujë që praktikisht të sigurojë ujë të bollshëm për një pjesë që deri më tani nuk kanë pas ku në të përfshihet zona nga Fshati i Vjetër e deri në Dardani dhe në pjesë të caktuara tjera që mund të mbulohen nga kjo fabrikë sepse ka kapacitet dhe është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetarëve me ujë të pijshëm”, shtoi Aliu.

Ndërsa, Aliu ka përmendur se Ferizaj pos problemeve që ka, ky qytet njihet dhe është krenar për bizneset e mëdha të cilat po e ndihmojnë mjaft shumë këtë komunë në ekonominë e qytetit. Ai tha se Ferizaj tani është qyteti i tretë nga numri i banorëve dhe i dyti nga zhvillimi ekonomik dhe kjo tregon më së miri ecurinë dhe se sa është atraktiv për të jetuar në këtë qytet.

“Ferizaj është qyteti më i ri në Republikën e Kosovës i cili e ka traditën që ndoshta shumë komuna dhe qytete të Kosovës janë me qindra vite e shekuj më të vjetër se Ferizaj, por nuk e kanë traditën dhe modernizmin që e ofron Ferizaj”, shtoi në fund Aliu.

Të ngjashme