Massimiliano Allegri nuk ka qenë aspak i kënaqur pas barazimit ndaj Milanit (1-1) saqë është larguar nga fusha duke bërtitur dhe duke sharë në drejtim të lojtarëve të tij.
Zonja e Vjetër barazoi të dielën mbrëma në Allianz Stadium, ndërsa për herë të parë pas 60 vitesh nuk ka arritur fitore në katër ndeshjet e para të Serie A.
Trajneri nuk ishte i kënaqur me qasjen e lojtarëve të tij dhe nuk e fshehu zhgënjimin as gjatë largimit nga fusha e as në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Një video, e cila është bërë virale në rrjetet sociale, shfaq momentin kur Allegri është parë i nervozuar duke u larguar drejt tunelit dhe duke sharë në italisht.
“Ata madje duan të luajnë për Juventusin”, citohet të ketë thënë strategu italian, derisa media të tjera kanë sqaruar se ai ka thënë: “Po luani për Juventusin”.
Sidoqoftë, kjo nuk e ndryshon faktin se Allegri ishte i hidhëruar me ekipin e tij. Në konferencën për shtyp, ai ka ua ka sqaruar lojtarëve se fanella e Juventusit është më e rëndë se e klubeve tjera, ndërsa në një prononcim për DAZN, ka theksuar se lojtarët e rinj, duke e përfshirë edhe Federico Chiesan duhet ta kuptojnë se çfarë do të thotë të luash për Zonjën e Vjetër. /Telegrafi