Alo!
S’jam e lumtur. A më dëgjon?
(Dashuria e ha vetveten.)
…
(Linja Kombëtare për Ndihmë Psikologjike.)
…
PROLOG
Është hera e parë që marr krye dhe flas me një psikolog anonim.
Për arsye politike.
Dhe personale.
Pak.
…
Telefonata nr. 1
Psikologu: Mirëdita. Cili është shqetësimi juaj?
KB: Mendoj se kam humbur kontaktin me realitetin.
Psikologu: Çfarë ka ndodhur?
KB: Ka rënë Albin Kurti.
Psikologu: E kuptoj.
KB: Jo, nuk e kupton.
Psikologu: Pse?
KB: Sepse askush tjetër nuk është ngritur.
…
Psikologu: Domethënë?
KB: Domethënë ra ai.
Nuk u ngritën këta.
Psikologu: …
KB: Është si të bëhet dasmë.
Dhe të mos martohet askush.
…
Telefonata nr. 2
KB: Alo?
Psikologu: Po.
KB: Po përpiqem ta kuptoj rezultatin.
Psikologu: Çfarë nuk kuptoni?
KB: Ata që kanë humbur vota janë të parët.
Ata që kanë fituar vota kanë mbetur të tretët.
Psikologu: …
KB: Po kush fitoi?
Psikologu: …
KB: Po kush humbi?
Psikologu: …
KB: Kjo është pyetja.
…
Telefonata nr. 3
KB: Kam edhe një shqetësim.
Psikologu: Ju dëgjoj.
KB: Mendoj se Albin Kurti ka rënë
sepse…
nuk heq dorë nga njerëzit e vet.
Psikologu: Cilët njerëz?
KB: Ata që nuk do t’ua falte kurrë po të ishin të partive tjera.
…
Psikologu: Keni shembuj?
KB: Ministri e bën gruan drejtoreshë.
Këshilltarja i jep para publike burrit.
Tjetri e zbulon farefisin si degë të administratës.
Një fantazmë e vjedhjes së rrymës mbrohet me fanatizëm
sikur të ishte dëshmitar i mbrojtur.
…
Psikologu: Ndoshta janë intriga.
KB: Jo.
Problemi është se këta nuk fshihen.
…
Psikologu: Dhe kjo ju shqetëson?
KB: Jo.
Më shqetëson që Albin Kurti ende sillet sikur ne shohim vetëm atë që na tregon ai.
…
Psikologu: Çfarë mendoni se ka ndodhur?
KB: Është konsumuar miti.
Jo prej kundërshtarëve.
Prej njerëzve të vet.
…
Psikologu: Çfarë miti?
KB: Miti i pastërtisë.
Miti i superioritetit moral.
Miti se këta janë ndryshe
…
KB: Qe,
për shembull mua,
kundër Albin Kurtit kurrë nuk më kanë nxitur kundërshtarët e tij.
Por njerëzit e tij më të afërt.
Më provokojnë.
Keq.
Psikologu: Me lejen e tij?
KB: Pra, këtë rënie e ka peshqesh prej ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve të vet.
…
Psikologu: Çfarë do ta këshillonit?
KB: Të bëjë atë që bëjnë liderët kur u del tymi nga njerëzit e vet.
Psikologu: Çfarë?
KB: T’i largojë.
…
Psikologu: Si?
KB: Si Edi Rama.
Ai kur i del zëri i zi ministrit, nuk i bëhet avokat.
As nuk e çon në konferencë për shtyp.
E çon në burg.
…
Telefonata nr. 4
Psikologu: Po çfarë ju shqetëson më shumë?
KB: Shpjegimet.
Psikologu: Çfarë shpjegimesh?
KB: Të gjithë po flasin sikur kanë fituar.
…
Njëri thotë:
“Populli na dha mesazh.”
Tjetri thotë:
“Populli na dha besim.”
I treti thotë:
“Populli na dha shpresë.”
…
Psikologu: Po ku shkuan 200 mijë votues?
KB: U rritën.
Psikologu: Sa?
KB: Dy centimetra.
…
Psikologu: Domethënë?
KB: Deri dje ishin fëmijë.
Psikologu: Dhe?
KB: Shtesat ua merrnin prindërit.
…
Psikologu: Po sot?
KB: Sot janë Gjenerata Z.
…
Psikologu: Dhe?
KB: Sot nuk kërkojnë shtesa.
Kërkojnë pagë.
…
Psikologu: Ku janë?
KB: Në det.
Në male.
Në festivale.
Në palestër.
Në meditim.
Në internet.
Në dhomë.
Kudo.
Veç në vendvotime jo.
…
Psikologu: Pse?
KB: Sepse prindërit votonin me shpresë.
Këta duan fakte.
Jo premtime.
…
Psikologu: Kjo është shumë cinike.
KB: Jo.
Cinike është kur mendon se një gjeneratë që s’mund të blejë banesë, do të emocionohet nga:
“Krisi pushka.
Ushtoi mali.”
…
Telefonata nr. 5
Psikologu: Po çfarë ju huton më shumë?
KB: Vetëbesimi.
Psikologu: I kujt?
KB: I Albin Kurtit.
…
Psikologu: Pse?
KB: Sillet sikur nuk i duhet askush.
Ka qejf: I vetëm, kundër të gjithëve.
Shumë.
…
Psikologu: Dhe?
KB: Plakat e shekullit të kaluar që janë lutur:
“Zot, mos më bëj myftiaç për askënd”,
zakonisht kanë përfunduar nevojtare.
…
Psikologu: …
KB: Ky është momenti kur dashuria fillon ta hajë vetveten.
…
Sepse lideri që për vite ka thënë:
“Unë jam ndryshe”,
fillon të besojë:
“Vetëm unë kam të drejtë.”
…
Dhe kur arrin në atë pikë,
fillon të humbësh edhe njerëzit e tu.
…
Telefonata nr. 6
Pa Alo.
KB: Edhe kësaj radhe më shumë votuan të moshuarit.
Psikologu: Që do të thotë?
KB: Shpresa është plakur.
…
Psikologu: Po të rinjtë?
KB: Të rinjtë nuk jetojnë më me shpresë.
Jetojnë me qira.
…
Psikologu: Çfarë do të thotë kjo?
KB: Do të thotë se politika po hyn në një epokë ku nuk mjafton të jesh hero.
Duhet të jesh i dobishëm.
Dhe: i qetë.
…
Telefonata e fundit
KB: Alo!
Psikologu: Çfarë shqetësimi ke tani?
KB: Pas mesnate?
Psikologu: Po.
KB: Pse Albin Kurti i josh dhe pastaj i gjuan bashkëpunëtorët e jashtëm?
Psikologu: …
KB: Alo?
Psikologu: …
KB: Më dëgjon?
Psikologu: Jo.
KB: Pse?
Psikologu: Sepse për këtë pyetje e kam telefonuar edhe unë Linjën Kombëtare për Ndihmë Psikologjike.
…
EPILOG
Raporti përfundimtar i institucionit
Diagnoza:
Zonja nuk vuan nga depresioni.
Vuan nga kontakti i zgjatur me realitetin.
…
Rekomandimi:
Të mos lejohet përdorimi i fjalëve:
fitore historike,
mesazh i qartë,
besim qytetar,
moment i ri,
vullnet i popullit,
sepse mund të shkaktojnë episode të forta…
satirike.
…
P.S.
Shënim sekret i institucionit:
E dëmtuara vazhdon të insistojë se:
“Nëse bie i pari dhe nuk ngrihet i dyti, problemi është i treti.”
…
AUTOKRITIKË
Pastaj ndodhi telefonata private mes Psikologut dhe KB-së.
…
Psikologu: Kim, po më trego drejt.
KB: Fol.
Psikologu: Kush fitoi?
KB: Heshtje.
Psikologu: Kim?
KB: Po mendoj.
Psikologu: Dhe?
KB: Unë.