Pas përfundimit të suksesshëm të ekspeditës që e çoi Kosovën në majën më të lartë në botë, alpinistët e Klubit Alpin Prishtina (KAP), Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, do të arrijnë në Aeroportin e Prishtinës në orën 19:45, ku do të priten nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe bjeshkatarë e miq të natyrës.
Ekspedita Everest 2017 është ideuar dhe organizuar nga Klubi Alpin Prishtina me qëllim që ta çojë Kosovën në kulmin e botës. Përgatitjet kanë filluar qysh para tre vjetësh dhe pjesë e tyre kanë qenë katër alpinistë të KAP-it, por në mungesë fondesh, vetëm dy prej tyre morën rrugën për në Nepal. Hasanramaj dhe Mula ngritën flamurin e Kosovës dhe atë Shqiptar në majën më të lartë në botë më 22 maj 2017.
Klubi Alpin Prishtina organizon transportin me autobusë për në Aeroport. Nisja bëhet nga parkingu përballë RTV 21, në orën 18:30.