Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka regjistruar sot zyrtarisht “Alternativën” si parti politike.
Njoftimi është dhënë në faqen e partisë në Facebook, ku tregohet se ky subjekt është regjistruar në KQZ me numër rendor 60 dhe drejtohet nga kryetarja në largim e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
“Sot, 24 Korrik, 2017 zyrtarisht në regjistrin e KQZ është regjistruar partia politike “Alternativa” me numër rendor 60 me Kryesuesen Mimoza Kusari – Lila”, njofton “Alternativa”.
Anëtarët e “Alternativës”, në zgjedhjet e 11 qershorit garuan si pjesë e listës së LDK-së, bashkë me AKR-në në koalicion.
“Alternativa” u themelua nga Mimoza Kusari-Lila, pasi kjo e fundit u largua nga AKR-ja, dhe Ilir Deda, pasi braktisi VV-në.