Ambasada amerikane në Beograd, tha të hënën nëpërmjet një komunikate se ndriçimi i vrasjes së tre shtetasve amerikanë 20 vjet më parë është përparësi në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.
“Sot shënojmë një përvjetor të zymtë. Njëzet vjet më parë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u morën nga një stacion policisë dhe u dërguan në njësinë e posaçme të policisë. Dy vjet më pas, trupat këtyre tre shtetasve amerikanë u gjetën në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë nën komandën e Goran Radosavleviqit. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë”, shkruan në komunikatën e ambasadës.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.
Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Ndonëse kanë kaluar 20 vjet. “vrasjet ende nuk janë hetuar në mënyrë të duhur dhe plotësisht. Vdekjen e tyre nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë”, thuhet në komunikate në të cilën theksohet se “vendosja e drejtësisë për vëllezërit Bytyçi, mbetet përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve serbe, që janë zotuar të ndihmojnë për këtë rast për shumë vjet, ta zgjidhin atë”, thuhet në komunikatë.
Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe për të cilin siç thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro amerikanë, në vitin 1999.
Goran Radosavleviq, i njohur si Guri, është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë në partinë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë shtruar vazhdimisht trysni mbi Beogradin që të ndriçojë këtë rast ndërsa një grup ligjvënësish amerikanë kishte kërkuar që përparimi në këtë çështje të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë/VOA.