Pas reagimit nga Qendra për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë (Cel Kosovo), lidhur me raportimet rreth martesës së vëllait të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lilës, ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë.
“Homofobia dhe format e tjera të diskriminimit me urrejtje nuk kanë vend në shoqëritë moderne, të ndryshme dhe demokratike. Ne të gjithë ndajmë përgjegjësi të barabartë për të siguruar që të drejtat themelore të njeriut të çdo personi mbrohen dhe respektohen”, shkroi në Twitter i ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe.
Homophobia and other forms of hateful discrimination have no place in modern, diverse, democratic societies. We all share equal responsibility to ensure every person’s fundamental human rights are protected & respected. https://t.co/4UaeRYYrTj
— Chargé d'Affaires Nicholas J. Giacobbe, Jr (@USAmbKosovo) January 4, 2022
Cel Kosovo, më herët dënoi fuqishëm këtë veprim dhe shprehu shqetesimin për shkeljen etike dhe standardet profesionale të gazetarisë në raportimin mbi orientimin seksual dhe martesën e një qytetari në Kanada.
“Me publikimin e këtij lajmi në mënyrë senzacionale, duke përdorur tituj tendenciozë dhe me potencimin e panevojshëm të lidhjes familijare të personit në fjalë me një politikane në Kosovë është cënuar rëndë privatësia e tij dhe e familjarëve, si dhe janë shkelur parimet themelore të kodit etik të gazetarisë. Këto raportime senzacionale dhe joprofesionale kanë nxitur një numër të madh të fyerjeve, kërcënimeve dhe gjuhë të urrejtjes, duke e fuqizuar një situatë të pasigurt për personat LGBTI në Kosovë”, thuhet ndër tjera.