Ambasada britanike mirëpret zgjedhjen e Yll Buleshkajt në krye të AKK-së

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka mirëpritur zgjedhjen e Yll Buleshkajt në krye të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në reagimin e kësaj ambasade thuhet se Buleshkaj ishte kandidati më i mirë në renditjen e ekspertëve britanikë që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes.

“Ne mirëpresim vendimin e Kuvendit të Kosovës për emërimin e Yll Buleshkajt si drejtor i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Buleshkaj ishte kandidati më i mirë në renditjen e ekspertëve britanikë që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes”.

“Ne mezi presim të punojmë me Agjencinë Kundër Korrupsionit për zbatimin e zotimeve kundër korrupsionit dhe udhërrëfyesit për të cilin është abonuar Kosova”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike në Twitter.

Yll Buleshkaj është zgjedhur Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit nga Kuvendi i Kosovës.

Ai ka marrë 62 vota, kështu duke “mposhtur” kundërkandidatin Visar Kransniqi, i cili mori vetëm dy vota.

Buleshkaj do të ketë mandat pesëvjeçar në krye të kësaj Agjencie.

Më parë, Yll Buleshkaj ka qenë drejtor ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Emri i tij mori vëmendjen e publikut pasi kjo zyrë pati rekomanduar që në zgjedhjet e shkurtit të lejohej certifikimi i kandidatëve që kanë probleme me ligjin.

Rekomandimi i tij nuk ishte marrë parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kishin vendosur që t’i largonin nga lista kandidatët që në tri vitet e fundit kanë pasur probleme me ligjin, duke përfshirë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Ky vendim i KQZ-së ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme.

Të ngjashme