Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) do t’i vëzhgojë zgjedhjet e 11 qershorit, duke dhënë kontributin e saj që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike dhe pa kërcënim politik.
Kështu ka bërë të ditur ambasadori amerikan, Greg Delawie, gjatë ceremonisë se ndarjes së çmimeve për videon më të mirë, pjesë e fushatës #AsUne nuk do të votojë për kandidatët e korruptuar.
Gara është organizuar nga koalicioni i Organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” me mbështetje të Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Ambasada e ShBA-së do jetë pjesë e vëzhgimit të zgjedhjeve në vendvotime, si në vendet ku votohet, po ashtu edhe në numërim. Kolegëve nga Ambasada e Amerikës do t’i bashkohen edhe ambasadat e tjera të cilat janë në Kosovë”, tha Delawie, raporton Ekonomia Online
Ai bëri thirrje për dalje në zgjedhje, pasi që sipas tij, secili qytetar duhet të planifikojë që pas 11 qershorit gjendja e Kosovës do të ndryshojë.
Greg Delawie ka thënë se lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme.
“Interesi i vetëm ShBA-së që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, pa asnjë kërcënim politik. Të gjithë kanë të drejtë të bëjnë fushatë, askush nuk duhet të frikësohet nga kërcënime. Bëj thirrje te institucionet e Kosovës që të dënojnë përpjekjet për frikësim të kandidatëve dhe qytetarëve”, ka theksuar ai.
Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka thënë se kjo fushatë ka qenë për qëllim që vota e qytetarëve të ndikojë në organizim më të denjë dhe vota e gjithsecilit të jetë demokratike. Ai tha se kanë pranuar 27 video nga të rinjtë nga e gjithë Kosova, e që janë vlerësuar nga stafi i DnV-së.
Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka apeluar te qytetarët që mos të lejojnë të tjerët të shfrytëzojnë votën e tyre.
“Mos lejoni që të tjerët të vendosin për të ardhmen tuaj e të fëmijëve tuaj. E drejta e juaj për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj është parim i shenjtë që Kosova të ecë përpara”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se BE e përkrahë idenë që Kosova nuk shkon përpara me kandidatë të korruptuar.
“Ne dimë po ashtu që demokracia nuk përfundon në momentin kur mbyllen vendvotimet, ju duhet t’i mbani ata non-stop nën vëzhgim, në mënyrë që qytetarët të janë të informuar. Ju qytetarët e Kosovës meritoni më shumë, duke filluar nga ajo që t’i bëni që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, dhe BE-ja do t’u ndihmojmë në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
“Vendosja e misionit të BE-së në Kosovë për vëzhgimin e zgjedhjeve dëshmon që sa shumë do të thotë Kosova për BE-në”, ka thënë ajo duke bërë thirrje të hapur për dalje masive në votime.
Fitues i çmimit të parë është: Albulena Uka; çmimin e dytë e ka marrë Besfort Berisha; kurse çmimin e tretë Egzona Shabani.