Zyrtarë nga Ambasada Gjermane në Prishtinë në një përgjigje dhënë “Zërit” duke folur për Raportin e Progresit për Kosovën, ka vlerësuar që ky raport flet për hapat që Kosova duhet të marr me qëllim që të integrohet në BE, duke theksuar veqanarisht sektorin e arsimit dhe të drejtësisë.
“Raporti i Kosovës i Komisionit Evropian merr në konsideratë, në mënyrë të plotë dhe me kompetencë, përparimin e Kosovës në një numër fushash që janë relevante për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Qeveria dhe parlamenti i Kosovës tani duhet të marrin një vështrim të afërt në gjetjet e Komisionit dhe të adresojnë problemet e identifikuara. Adresimi i tyre është vendimtar për Kosovën që të avancojë më tej në rrugën e saj drejt BE-së. Para së gjithash, është në interes të të gjithë qytetarëve kosovarë që shteti i tyre të përmirësojë performancën e tij, për shembull në sektorin e arsimit dhe të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ambasade.
Ndërsa për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Ambasada Gjermane thotë që luftimi i korrupsionit dhe krimi i organizuar janë kriteret e mbetura për liberalizim.
“Kosova ka bërë një rrugë të gjatë në procesin e liberalizimit të vizave, duke plotësuar 94 nga 95 kritere. Regjistrimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin tani janë kriteri i vetëm i mbetur. Ne shpresojmë që institucionet e Kosovës po punojnë shumë për të përmirësuar këtë histori, në mënyrë që Komisioni Europian së shpejti të mund të përmbushë këtë kriter të fundit si të përmbushur”, thekson kjo ambasadë.